Bayern Munich e nisi Bundesligën ashtu si e filloi, duke u konfirmuar si skuadra për t’u mundur në Gjermani. Kampionët në fuqi shkatërruan Hamburg SV me rezultatin 5-0 në ndeshjen që hapi kampionatin në “Allianz Arena”. Ky ishte një mesazh i fortë për të gjithë rivalët që shpresonin që bavarezët të kishin humbur diçka nga fuqia e tyre. Golin e parë të sezonit në Gjermani e shënoi mbrojtësi Mehdi Benatia, i cili tundi rrjetën me një goditje me kokë, gjatë goditjes standarde të ekzekutuar nga Xabi Alonso.
Pati një dyshim për pozicionin jashtë loje të marokenit, megjithatë goli u quajt i rregullt nga gjyqtari. Bayern i shkoi shumë pranë edhe golit të dytë me anë të Alaba e Muller, por Rene Adler bëri shumë mirë detyrën. Goli i dytë i Bayern erdhi në minutën e tetë të pjesës së dytë. Mbrojtja e Hamburger SV hezitoi në largimin e një topi në zonë, por atje nuk hezitoi Robert Leëandoëski, i cili tundi rrjetën, i ndihmuar edhe nga një devijim. 20 minuta para fundit, Thomas Muller shënoi golin e tretë për ekipin e drejtuar nga Pep Guardiola, i shërbyer nga një krosim i mrekullueshëm i Douglas Costa. Thomas Muller shënoi edhe golin e katërt për kampionët e Gjermanisë, ndërsa golin e pestë e “firmosi” braziliani Costa, lojtari më i mirë në ndeshjen e djeshme. Mbrojtësi Ostrzolek nuk e largoi topin sepse mendoi se kishte pësuar një faull, por gjyqtari e la lojën të vazhdojë dhe Costa tundi rrjetën me një goditje të saktë nga jashtë zone. “Nuk ishte një fitore aq e lehtë sa e tregon rezultati. Skuadra luajti mirë, por deri 20 minuta para fundit Hamburger ishte në lojë. Megjithatë duhet të gëzojmë se e nisëm kampionatin me këmbën e duhur, por kemi edhe 33 ndeshje të tjera për të arritur, atje ku duam,” – tha menjëherë pas ndeshjes trajneri i Bayern Munich, Pep Guardiola.