Gjykata e Shkodrës caktoi masën e sigurisë “arrest me burg pa afat” për 42 vjeçarin Dritan Geci me detyrë specialist pranë Inspektoriatit Shtetëror të Shëndetësisë në Shkodër.
Geci akuzohet për veprat penale “Korrupsion pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike” dhe “Falsifikim dokumentash”. Në seancën gjyqësore që zgjati mbi 1 orë prokurorja Blerta Hamza ka paraqitur provat si dhe kërkuar arrest me burg për 42 vjeçarin Geci. Nga ana tjetër avokati mbojtës Isuf Lita kërkoi masën lehtësuese “arrest shtëpie, e cila në përfundim të gjykimit nuk u mor parasysh nga gjyqtarja Fildeze Elezi.
Kjo e fundit caktoi “Arrest me Burg” pa afat për 42 vjeçarin Geci. Ndërkaq, specialistes tjetër të arrestuar, 29-vjeçares Milseva Mustafa i është komunikuar masa e sigurisë në ambientet e Spitalit Rajonal të Shkodrës, pasi ishte nën mbikëqyrje nga mjekët për shkak të komplikacioneve shëndetësore. Pasi janë dëgjuar argumentet nga organi i akuzës dhe mbrojtja, gjyqtarja Elezi ka vendosur masën “arrest shtëpie” për 29 vjeçaren, specialiste pranë Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor. Avokati mbrojtës e argumentoi ndalimin si të paligjshëm dhe të paprovuar, pretencë që u mor parasysh nga gjyqtarja.
Ndërkohë, Kryeinspektori i ISHSH në Shkodër Denis Malevi vijon të jetë në kërkim nga policia, i akuzuar për veprat penale “Korrupsioni pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike” dhe “Falsifikimi i dokumentave. Ndalimi i dy specialistëve si dhe shpallja në kërkim e kryeinspektorit Malevi u bë 2 ditë më parë pasi këta shtetas duke pasur detyrë të kontrollonin subjektet tregtare dhe të shërbimeve, për pajisjen me çertifikatë për “Dezinfektim, dezinsektim dhe deratizim”, në vend që të aplikonin ndëshkimin administrativ ndaj bizneseve për mungesë dokumentacioni, i pajisnin subjektet me certifikata shërbimi të falsifikuara, kundrejt shumave prej 5.000 lekësh.