Ministria e Drejtësisë synon forcimin e masave të sigurisë në burgjet e sigurisë së lartë. Sipas burimeve zyrtare të MD-së, është përgatitur një p/ligj i ri me ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për të drejtat dhe trajtimin e personave të dënuar me burgim dhe të paraburgosurve”.
Konkretisht, një nga pikat e ndryshuara në këtë ligj ka të bëjë me përforcimin e sigurisë në burgjet e sigurisë së lartë përmes një regjimi të posaçëm, që vendoset për sigurinë e institucioneve, kryesisht në parandalimin e lidhjeve të mëtejshme me botën e krimit për personat që vuajnë dënimin në burgjet e sigurisë së lartë për vepra penale në veçanti të rrezikshme, duke ndihmuar kështu dhe në shkëputjen përfundimtare të tyre nga krimi. Një propozim i tillë bëhet jo vetëm për arsye të sigurisë së brendshme të institucionit, por edhe të sigurisë së jashtme. Në të tilla raste, me kërkesën edhe te Ministrit të Punëve të Brendshme, Ministri i Drejtësisë mund të vendosë pezullimin në institucion ose në një pjesë të tij të aplikimit të rregullave normale të trajtimit të të burgosurve, në përputhje me nevojat e rendit dhe të sigurisë, duke parashikuar kështu një mekanizëm të ri të bashkëpunimit mes sistemit penitenciar dhe atij të mbrojtjes së rendit, si një përgjigje e përbashkët në luftën kundër kriminalitetit, siç mund të jenë veprat penale që lidhen me akte terroriste apo me organizata kriminale. Ministria e Drejtësisë ka arsyetuar nevojën e nxjerrjes së këtij projektligji për t’u përgjigjur nevojave reale për rritjen e sigurisë publike jashtë, përmes rritjes së sigurisë së brendshme, në burgje. Projektligji parashikon, gjithashtu, vendosjen në mënyrë taksative të subjekteve që vuajnë dënimin e tyre në një burg të sigurisë së lartë, pa qenë nevoja qe të shprehet gjykata posaçërisht për këtë fakt, çka ka lënë vend për abuzime në praktikën e deritanishme.