Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj gjatë prezantimit të Masterplanit për Burgjet deklaroi se qeveria ka bërë shumë duke përmendur sistemin ’41-bis’ dhe rekrutimin cilësor, por shtoi se mbeten edhe shumë sfida.
Ajo theksoi se ka ende punonjës që korruptohen dhe që nuk janë të denjë për të shërbyer në sistemin e burgjeve. “Padyshim sot që flasim, evidentohen përsëri problematika me punonjës policie të cilët korruptohen dhe nuk janë të denjë për të shërbyer në sistem por është një proces i cili do të ndryshojë në të gjitha aspektet e tij, kjo edhe për konsolidimin e vetë sistemit që të mos lejojë korruptimin e punonjësve por njëkohësisht dhe në garantimin e trajtimit financiar të përshtatshëm për detyrën e tyre”.
Ministrja kishte një lajm të mirë për të gjithë policët e burgjeve, pasi deklaroi se do të ketë një rritje pagash me qëllim barazimin e statusit me policinë e shtetit. “Duke qenë koshiente që nuk është ende e mjaftueshme rritja e pagave që ju bë punonjësve të policisë së burgjeve me 7% në 1 prill 2019, kemi planifikuar si pjesë edhe e këtij Plan veprimi, eskalimin e rritjes së pagave me qëllim barazimin e statusit të policisë së burgjeve me policinë e shtetit në trajtimin financiar. Por duhet mbajmë në konsideratë që është rritja e parë e pagës pas shumë viteve harresë të punonjësve të sistemit të burgjeve” tha Gjonaj.
Fjala e plotë e ministres së Drejtësisë
Fillimisht, dëshiroj t’ju uroj mirëseardhjen duke ju falënderuar të gjithëve që pranuat ftesën për të marrë pjesë në këtë aktivitet të rëndësishëm që lidhet pikërisht me një nga objektivat strategjikë të Ministrisë së Drejtësisë, efektiviteti i organeve ligjzbatuese në ekzekutimin e vendimeve penale.
Që në krye të herës, në fillimin e detyrës sime si Ministre e Drejtësisë, lindi nevoja e një analize gjithëpërfshirëse e gjendjes së sistemit penitenciar, duke përfshirë aspektet legjislative, burimeve njerëzore, çështjeve të sigurisë, aspektet infrastrukturore dhe trajtimin e të drejtave të personavetë dënuar dhe të paraburgosur.
Në një kohë kur Qeveria Shqiptare ka nisur luftën pa kompromis ndaj kriminalitetit në përgjithësi dhe krimit të organizuar në vecanti, së bashku me partnerët ndërkombëtarë dhe një grup ekspertësh vendas, përgatitëm hartimin e një MASTËRPLANI 4 vjeçar 2019 – 2022 për sistemin penitenciar.
Ky plan veprimi është një dokument strategjik i cili do të shërbejë si një udhëzues për zhvillimin, zbatimin dhe monitorimin e mëtejshëm të aktiviteteve të nevojshme për reformën në sistemin e burgjeve.
Zhvillimi i sistemit penitenciar shqiptar përbën një element të rëndësishëm të reformës së përgjithshme penale në Shqipëri, e cila njëkohësisht është një prioritet për Ministrinë e Drejtësisë (MD) dhe Qeverinë e Shqipërisë në përgjithësi.
Për më tepër, sistemi penitenciar shqiptar duhet të zhvillohet më tej me synimin parësor rehabilitimin e të dënuarve dhe në të njëjtën kohë të kontribuojë më së miri që të burgosurit e liruar të shmangin rikthimin, duke marrë parasysh praktikat më të mira Evropiane dhe Rekomandimet e Këshillit të Evropës.
Për një zbatim të suksesshëm, objektiv dhe transparent, është parashikuar që Plani i Veprimit të monitorohet nga një Grup Pune ose një Task Forcë të ekspertëve nga të gjitha institucionet shtetërore, donatorëve të ndryshëm, si dhe të përfshihen institucione apo organizata të tjera në procesin e zbatimit të cilët do të vlerësojnë zhvillimet dhe dinamikën e zbatimit.
Pavarësisht se Plani i veprimit për mirëfunksionimin e sistemit të burgjeve, është përgatitur në këtë periudhë të parë të vitit 2019, paralelisht kemi vijuar me zgjidhjen e një sërë problematikave të sistemit të burgjeve të cilat janë konsideruar emergjente.
Angazhimi i plotë gjatë këtyre dy viteve duket se ja ka vlejtur pasi kemi arritur të përmirësojmë shumë elementë në sistemin penitenciar, ku shumica e tyre më lejoni ta theksoj janë: PËR HERË TË PARË.
E filluam me ndryshimin e mënyrës së rekrutimit të drejtuesve të rinj të IEVP-ve ku të gjithë Drejtuesit u përzgjodhën përmes një konkursi të hapur dhe meritokratik.
E vijuam me mënyrën e rekrutimit të stafit policor në vitin 2018 me Akademinë e Sigurisë duke ndryshuar rrënjësisht mënyrën e rekrutimit të tyre e cila i dha fund një mentaliteti të gjatë ku efektivët e burgjeve trajtoheshin si “qoka partiake” dhe jo si burime njerëzore profesionalisht të zotë për të garantuar vazhdimësine e shërbimit të tyre në sistem.
Dua t’ju garantoj, se angazhimi që kemi marrë përsipër është që në të gjitha IEVP-të të shërbejnë ata që do pasqyrojnë integritet moral, profesional dhe që do jenë të përkushtuar në zbatimin e detyrave funksionale, duke ofruar shërbimin për të garantuar sigurinë në Institucione penitenciare, si dhe duke respektuar në mënyrë rigoroze të gjitha të drejtat e njeriut për personat që vuajnë dënimin në këto institucione.
Padyshim sot që flasim, evidentohen përsëri problematika me punonjës policie të cilët korruptohen dhe nuk janë të denjë për të shërbyer në sistem por është një proces i cili do të ndryshojë në të gjitha aspektet e tij, kjo edhe për konsolidimin e vetë sistemit që të mos lejojë korruptimin e punonjësve por njëkohësisht dhe në garantimin e trajtimit financiar të përshtatshëm për detyrën e tyre.
Duke qenë koshiente që nuk është ende e mjaftueshme rritja e pagave që ju bë punonjësve të policisë së burgjeve me 7% në 1 prill 2019, kemi planifikuar si pjesë edhe e këtij Plan veprimi, eskalimin e rritjes së pagave me qëllim barazimin e statusit të policisë së burgjeve me policinë e shtetit në trajtimin financiar. Por duhet mbajmë në konsideratë që është rritja e parë e pagës pas shumë viteve harresë të punonjësve të sistemit të burgjeve.
Më kujtohen fare mirë ditët e para në detyrë, ku krahas ankesave të tjera që më vinin në rrjetet sociale ku zgjedh të komunikoj shpesh me qytetarët, spikaste problemi madhor i ecejakeve që i bëheshin punonjësve te Burgjeve nëpërmjet transferimeve nga një institucion në një institucion tjetër të largët. Në një sistem ku sistemi i karrierës dhe i garancive që duhet të ketë një punonjës me uniformë kanë munguar tërësisht, janë marrë masa me zgjidhje të përkohshme ligjore siç është rasti për ndalimin e transferimit të punonjësve të policisë së burgjeve jo më larg se 45 km.
E them në mënyrë të përkohshme janë marrë këto masa, pasi jo vetëm janë parashikuar si masa të qëndrueshme në këtë plan veprimi por nga ana tjetër do të jenë të parashikuara në legjislacionin specifik me qëllim që të gjitha këto mos të vijnë si vullnet i Ministrit të Drejtësisë apo strukturave drejtuese të institucioneve penitenciare.
Paketa ligjore me 5 projektligjet, të cilat janë përgatitur tashmë dhe dy prej tyre janë në diskutim në Kuvendin e Shqipërisë, do të jetë kuadri ligjor që do të garantojnë jo vetëm sistemin e karrierës të punonjësve të burgjeve, por edhe një sërë masash sigurie që kemi ndërmarrë në sistemin penitenciar.
Lidhjet e subjekteve kriminale me botën jashtë ka qënë një problem i vazhdueshëm por që përfshin edhe çështjet e sigurisë jashtë burgjeve. Në forcim të elementëve të sigurisë janë marrë një sërë masash, ku një prej tyre është instalimi i regjimit të posaçëm 41 Bis, nëpërmjet të cilit do të kufizohen subjektet kriminale me rrezikshmëri për të vijuar veprimtarinë e tyre dhe gjatë qëndrimit të izoluar. Aktualisht janë marrë masat për të gjitha aspektet proceduriale administrative dhe logjistike për të vijuar me zbatimin e këtij regjimi. Së bashku me Prokurorinë e krimeve të rënda dhe një sërë institucionesh ligjzbatuese jemi në fazat e para të zbatimit të këtij regjimi.
Çështjet e korrupsionit në sistemin e burgjeve kane qënë një problematikë e theksuar që ka passhoqëruar në mënyrë të vazhdueshme sistemin. Por sado njerëz me integritet të shërbejnë në sistem, nëse vetë sistemi nuk do të përmirësohet duke garantuar transparencë, llogaridhënien, sigurinë do të jetë e pamundur të fitosh betejën me korrupsionin.
Për këtë arsye gjatë këtij viti një sërë masash janë marrë në këtë aspekt, me Ngritjen e sallës operacionale e cila bën të mundur monitorimin 24 orë në Institucionet penale apo instalimi i bllokuesve të valëve. Falë mbështetjes buxhetore nga Qeveria shqiptare, por edhe të Ambasadës Britanike, për herë të parë janë të instaluar bllokuesit e valëve në 3 Institucione të ekzekutimit të vendimeve penale. Masa të tjera janë planifikuar në vijim për tu ndërmarrë me qëllim garantimin e sigurisë dhe forcimin e kontrollit në institucionet penitenciare.
Të gjitha këto arritje që përmenda më lart, janë parashikuar si vazhdimësi në këtë dokument veprimi që do të prezantojmë sot për të qenë një guidë që duhet të udhëheqë jo vetëm Ministrinë e Drejtësisë dhe institucionet e saj të varësisë që janë të përfshira, por të gjithë ata bashkëpunëtorët që na ndihmojnë në rrugëtimin tonë për ta nxjerrë sistemin penitenciar nga errësira e gjatë, duke e shndërruar në një sistem i cili duhet të këtë prioritet edukimin dhe rehabilitimin e të dënuarve.
Së fundi, dua të falenderoj në rradhë të parë Ambasadorin Duncan, Kreun e ri të Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, dhe stafet tuaja për mbështetjen e vazhdueshme për përgatitjen e këtij Plan veprimi por edhe asistencën teknike të ofruar gjatë kësaj periudhe.
Falenderoj të gjithëve ata që kanë marrë pjesë në takimet e grupit të punës, për të dhënë sugjerimet dhe vërejtjet konkrete për këtë Plan veprimi me qëllim përmirësimin e dokumentit final.
Pa dyshim ky plan veprimi si një dokument orientues do të afrojë më shumë partnerë ndërkombëtare dhe organizata vendase me qëllim që të punojmë së bashku për të përmbushur objektivat në interes të përmirësimit të sistemit penitenciar. Në mbyllje, dua të citoj Dostoevskin, i cili në një nga testamentet letrare që i ka lënë njerëzimit, ka shkruar: Shkalla e qytetërimit të një shteti matet nga burgjet e tij! Bashkë po ja dalim, dhe jam e bindur që do vazhdojmë t’ia dalim për ta përmirësuar këtë shkallë dita-ditës deri sa ta çojmë në nivelin e duhur.