Partia Demokratike pritet të nisë sot aksionin e asaj që e quan ‘mosbindje civile’ pas burgosjes me 1 vit burg të Ervin Salianjit me vendim të formës së prerë për akuzën ‘kallëzim të rremë’ lidhur me dosjen ‘Babale’
Kryetarja e Komisionit për Çështjet Europiane Jorida Tabaku dhe deputeti Edi Paloka kanë lajmëruar një deklaratë për median ku pritet të njoftojnë se do të bojktohen komisionet. Gjithashtu aksioni I opozitës do të vijojë dhe në seancën e pasdites së sotme ku pritet të mos ketë një seancë normale parlamentare.
Seanca e ores 17:00
Tema kryesore e seancës pritet të jetë ajo për çështjen e zgjedhjeve dhe votuesve, ku pritet të trajtohet edhe vota e diasporës ndër të tjera, si risi e zgjedhjeve të ardhshme.
Kryeparlamentarja Elisa Spiropali ka firmosur urdhrin për mbajtjen e saj që prej datës 26 Shtator dhe është e parashikuar në kalendarin e punimeve të miratuar më herët, periudha 23 Shtator-11 Tetor.
Opozita nga ana e saj ka paralajmëruar që pas dënimit dhe burgosjes së deputetit Ervin Salianji më 27 Shtator, me 1 vit izolim për “kallëzim të rremë” në dosjen “Babale”, se s’do të ketë më jetë parlamentare normale dhe se do mbajë protesta.
Nuk dihet nëse ky aksion politik do të nisë që ditën e sotme, por më herët opozita e ka ndjekur strategjinë e bllokimit të seancave, deri në flakadanë, fishekzjarrë dhe vënie zjarri në sallë.
Protesta e parë kombëtare është lajmëruar për të hënën e 7 Tetorit, me strategji bllokimi dhe paralizimi të jetës jo vetëm parlamentare dhe ligjislative, por deri në mosbindje civile, në rrugë kombëtare dhe sheshe.
Në rendin e ditës sot parashikohen diskutime të deputetëve si më poshtë:
1-Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 19.9.2024.
2-Njoftime të ndryshme.
3-Diskutime për çështje të evidentuara nga zgjedhësit.