Ish shefi i sigurisë në burgun e Peqinit, aktualisht drejtori i sigurisë në Burgun e Drenovës Marenglen Kadiu është arrestuar nga shërbimi i kontrollit të Brendshëm të Burgjeve dhe më pas ndaj tij është caktuar masa ‘arrest në shtëpi’. Ish drejtori i qelive të Peqinit të kthyera ndër muaj dhe vite si dhoma të një hoteli me 5 yje, akuzohet se ka shpërdoruar detyrën në Peqin duke lejuar të futen sende të paligjshme, ndër të cilat mund të jenë edhe ato që transformuan qelitë në dhoma luksi me elektroshtëpiake të palejuara, apo dhomat e këshillimit në palestra për bosët e burgut si edhe dhomat speciale në ambiente relaksi për takimet e të fortëve të burgut.

Prokuroria e Elbasani kërkoi arrest me burg për ish shefin e Peqinit, por gjykata e Elbasani e la në arrest shtëpie për shkak se Kadiu ka një fëmijë me autizëm. Marenglen Kadiu ishte transferuar si shef sigurie prej 8 muajsh në një tjetër burg, atë të sigurisë së lartë në Drenovë.

Një letër e ish drejtorit të Peqinit, Kamber Hoxha për eprorët e tij zbuloi skandalin e ndodhur brenda burgut të sigurisë së lartë. Letra u bë publike kur në qelitë e sigurisë së lartë ishte kryer një vrasje. Sokol Mjacaj me një armë të futur në burg me kutinë e qumështit vrau në qelinë e tij Arben Lleshaj dhe plagosi shokun e qelisë Indrit Shaqja. Vrasja ishte porositur nga jashtë për 200 mijë euro sipas dëshmive të autorit Mjacaj. Ngjarja e paprecedentë pasoi me arrestimin dhe vënien nën hetim të ish drejtorit Kamber Hoxha dhe zinxhirit komandues.

Artikulli paraprakTURQIA GODITET SËRISH NGA NJË TËRMET I FORTË, JA KU ISHTE EPIQENDRA
Artikulli tjetër15% MË SHUMË SE NJË VIT MË PARË, SA SHPENZUAN ITALIANËT PËR KRISHTLINDJE?