Një burrë 60-vjeçar në Gjermani dyshohet se është vaksinuar kundër COVID-19 me dhjetëra herë për të shitur karta të falsifikuara vaksinimi me numra të vërtetë njerëzve që nuk dëshironin të vaksinoheshin.

Burri nga qyteti lindor i Gjermanisë, Magdeburg, thuhet se ka marrë deri në 90 doza vaksine kundër COVID-19 në qendrat e vaksinimit në shtetin lindor të Saksonisë për muaj të tërë derisa policia kriminale e kapi në fillim të këtij muaji, njoftoi të dielën agjencia gjermane e lajmeve dpa.

Emri i 60 vjeçarit nuk u publikua në përputhje me rregullat gjermane të privatësisë.

I dyshuari nuk është ndaluar por është nën hetim për lëshim të paautorizuar të kartelave të vaksinimit dhe falsifikimit të dokumenteve, raporton dpa.

Ai u kap në një qendër vaksinimi në Eilenburg kur u shfaq për një vaksinë COVID-19 për të dytën ditë radhazi. Policia i ka konfiskuar disa karta vaksinimi bosh dhe ka nisur procedim penal ndaj tij.

Ende nuk dihet se çfarë ndikimi kanë në shëndetin e tij personal 90 dozat e COVID-19, të cilat ishin të markave të ndryshme.

Policia gjermane ka kryer shumë hetime në lidhje me falsifikimin e pasaportave të vaksinimit gjatë muajve të fundit. Shumë shtetas refuzojnë të vaksinohen por ndërkohë u duhet të kenë pasaportën e vaksinimit që ua bën shumë më të lehtë aksesin në jetën publike dhe në shumë vende si restorante, teatro, pishina apo vende pune.

Në Gjermani është konstatuar një rritje e numrit të personave me covid ndërsa shumë masa kufizuese janë hequr të premten. Mbajtja e maskave nuk është më e detyrueshme në dyqane dhe shumicën e teatrove, por është ende e detyrueshme në transportin publik.

Artikulli paraprakTË ARDHURAT NGA TAKSA E QARKULLIMIT 160 MLN EURO PËR VITIN 2021
Artikulli tjetërDI MAIO THIRRJE ITALIANËVE NË UKRAINË: LARGOHUNI SA MË SHPEJT TË JETË E MUNDUR