Një krim i rëndë brenda familjes ka ndodhur në qytetin e Vlorës. Mësohet se burri ka mbytur me duar bashkëshorten e tij gjatë një sherri dhe më pas ka prerë damarët e dorës.
Ngjarja sipas raportimeve të para ka ndodhur në një banesë pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë rreth orës 12:20.
Ndërkohë Burri ndodhet në gjendje të rëndë pasi ka pasur shumë humbje gjaku.
Viktima mësohet se është 45-vjeçarja, Eva Lera ndërsa autori Teodor Lera 57 vjeç. Bashkëshortët Lera ishin prindër të tre fëmijëve. Nuk dihet nëse ata kanë qenë në banesë kur ndodhi ngjarja e rëndë.
Informacioni paraprak i policisë:
“Sot rreth orës 12:10, në lagjen “Kushtrimi”, në katin e parë të një pallati është gjetur e pa jetë një shtetase 45 vjeçe.
Nga hetimet paraprake dyshohet se ajo mund të jetë vrarë nga bashkëshorti. 57-vjeçari më pas, dyshohet se ka prerë damarët. Ai po merr ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal Vlorë. Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”.
Mësohet se bashkëshortët kanë pasur konflikte të mëhershme dhe burri ka qenë i proceduar më parë për dhunë në familje.
Çifti i bashkëshortëve janë prindër të tre fëmijëve. Vajzë e djalë i kanë në Amerikë dhe Angli, ndërsa një vajzë tjetër studente në Tiranë.
Policia eshte e shumtë në numër në vendngjarje.
“Edhe pse vetëm ajo punonte dhe ai e mbyllte brenda në shtëpi nga xhelozia, ai sërish i morri jetën”. Kjo është në pak fjalë, sipas gjitonëve të çiftit, përmbledhja e tragjedisë së ndodhur ditën e sotme në qytetin e Vlorës ku 57 vjeçari Teodor Lera vrau bashkëshorten 45 vjeçare Eva Lerën.
Për mediat lokale, fqinjët e familjes që jetonte në katin e parë të një banese fare pranë komisariatit të Vlorës, kanë treguar se Teodor Lera ishte gjithmonë i papunë dhe shumë xheloz për gruan e tij, aq sa nuk e linte, as të dilte nga shtëpia.
Njëra ndër fqinjët e familjes ku ndodhi krimi i rëndë, u shpreh se Eva e ndjerë punonte pranë banesës në një dyqan ku shiste rroba të përdorura dhe ishte ajo, që e mbante të shoqin.
“Ai ishte shumë xheloz. Ai nuk punonte, vetëm kjo punonte, shiste rroba. Ai ishte shume xheloz. Ajo nuk dilte nga shtëpia, as flokët nuk i krihte sepse ishte ai xheloz. Vetëm në punë e Brenda në shtëpi”, tha ajo për kamerat.
Familja Lera ishte e përbërë prej 5 anëtarësh. Burrë e grua kishin tre fëmijë, dy vajza dhe një djalë. Vajza e madhe dhe djali punonin jashtë shtetit ndërsa e vogla ndodhej me studime në Tiranë.