Pas dy vitesh ndërprerje për shkak të pandemisë COVID-19 në zonën e Bushatit kanë rinisur gërmimet e projektit të përbashkët shqipataro-polak në një qytet antik që i përket periudhës ilire. Pas zbulimit të portës hyrëse në 2018-ën tashmë gërmimet janë fokusuar në pjesën e mesme ku mendohet se janë banesat dhe muret rrethuese të atij qyteti të cilin arkeologët ende nuk e kanë përcaktuar se cili është edhe pse dyshimet janë për Basanian. Bashkëdrejtuesi shqiptar nga qendra arkeologjike Saimir Shpuza thotë se mendohet se ky qytet i përket shekullit të 3 ose të 4 para erës së re.
Bashkëdrejtues polak i projektit të gërmimeve arkeologjike, Piotr Dyczek që vjen nga universiteti i Varshavës në Poloni thotë se duhen shumë vite gërmime për të arritur në një konkluzion se çfarë është ky qytet antik.
“Ne jemi shumë të lumtur që u kthyem në Bushat për gërmime arkeologjike pas dy vitesh ndërprerje për shkak të COVID 19. Është një zonë që na intereson shumë për gërmime. Ne kemi gërmuar për shumë vite përpara se të vinim këtu edhe në kalanë e Shkodrës për të cilën kemi botuar edhe një vëllim të madh vitin e kaluar dhe tani jemi transferuar në këtë zonë shumë të rëndësishme për të kuptuar edhe më shumë qytetërim ilir të asaj periudhe. Normalisht që ne sapo kemi filluar të gërmojmë dhe nuk e dimë ende se çfarë do të gjejmë dhe do të duhen shumë vite dhe ndoshta do të duhet që këtë punë të gërmimit ta vijojnë fëmijët tanë dhe sërish ndoshta është e pamjaftueshme”.
Pjesë e këtij projekti është edhe arkeologu Helidon Sokoli nga drejtoria rajonale e kulturës i cili shprehet se këto vende antike të Shkodrës apo edhe Komanit në një të ardhme mund të futen në një hartë për t’u vizituar nga turistët e huaj.
Projekti “Shkodra” i gërmimeve arkeologjike do zgjasë në një periudhë 5 vjeçare dhe do jetë i fokusuar në zonën e Bushatit për të mësuar më shumë mbi këtë thesar që do ketë vlerë kulturore e historike nëse arrihet që të gjenden monedha, pllaka varrezash apo të tjera me mbishkrime që përkojnë edhe me dokumentet shkencore dhe historike të periudhës ilire.