Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati po merr pjesë në sesionin e 54-t të “Konferencës së Sigurisë së Munihut”. Gjatë punimeve të kësaj konference, Ministri Bushati zhvilloi një takim me homologun e tij spanjoll, ministrin e Jashtëm dhe Bashkëpunimit në Mbretërinë e Spanjës Alfonso Dastis.
Zyrtarët e lartë diskutuan mes tyre mbi Strategjinë e Zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe situatën në Ballkanin Perëndimor, si dhe u angazhuan për gjetjen e instrumenteve për thellimin dhe rigjallërimin e marrëdhënieve dypalëshe. Ministri Bushati u shpreh se Shqipëria e vlerëson rolin e Spanjës në favor të politikës së zgjerimit të BE-së, ndërsa shtoi se do të dëshironte përfshirjen e saj aktive në Ballkanin Perëndimor. Ai theksoi se Shqipëria pret mbështetjen e Spanjës përsa i takon hapjes së negociatave me BE-në, duke theksuar progresin e bërë në plotësimin e pesë prioriteteve dhe sidomos implementimin e reformës në drejtësi. Ministri Bushati u ndal dhe tek njohja e Kosovës, ndërsa nënvizoi se rasti i saj nuk ka asgjë të përbashkët me rastin e Katalonjës. Gjatë punimeve të konferencës, Bushati zhvilloi një takim dhe me ministrin e Jashtëm të Turqisë, Mevlut Çavuşoğlu, ku diskutuan për çështje të karakterit dypalësh, duke u ndalur dhe në çështje që lidhen me sigurinë në rajon dhe më gjerë. Gjatë konferencës së Sigurisë së Munihut që mbyll sot punimet, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme zhvilloi një takim me homologun e tij, Ministrin e Jashtëm të Japonisë Taro Kono.
Ministrat diskutuan mes tyre për bashkëpunimin e mirë mes dy vendeve dhe gjetjen e hapësirave për forcimin e konsolidimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi, në rrafsh shumëpalësh dhe në mënyrë të veçantë, bashkëpunimin ekonomik. Ministri Bushati e njohu homologun e tij Kono me mundësitë që ofron vendi ynë për investime me interes për biznesin japonez.