Pas reagimit që ka shkaktuar publikimi në faqen e Ambasadës në Facebook i dy fotografive që paraqisnin shtatoren e Skënderbeut që do të vendoset në Budapest ka reaguar ambasadori shqiptar ne Hungari, Arian Spasse “Është vetëm maket, do të pësojë ndryshime e do të marrë tiparet, me të cilat janë familjarizuar shqiptarët”.
Reagime të ashpra, për shkak se Skënderbeu i realizuar nga skulptori hungarez, Mihaly Gabor, nuk kishte asnjë ngjashmëri me portretin e heroit. Pas kësaj, ambasadori Spasse ka nxituar të sqarojë përmes një statusi, po në faqen e Ambasadës në Facebook.
“Duke marrë shkas nga disa reagime të miqve në FB lidhur me fizionominë e bustit të Skënderbeut që planifikohet të vendoset në Budapest, dëshiroj të sqaroj se maketi i paraqitur në foto është vetëm maket.
Ai do të pësojë ndryshime deri sa të marrë tiparet me të cilat shqiptarët janë familjarizuar. faleminderit për mirëkuptimin”, shkruan ambasadori Arian Spasse. Madje edhe dy fotografitë e mëparshme janë hequr nga faqja.