Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hedhur poshtë pretendimet e kryetares së bashkisë Shkodër Voltana Ademi për By Pass-in përmes një njoftimi për shtyp.

ARRSH me reagimin e bërë publik ka përgënjeshtruar kryebashkiaken Ademi pas deklaratave të saj në konferencën për shtyp. Fillimisht ARRSH sqaron se punimet për By Pass-in e Shkodrës kanë nisur në vitin 2011 pasi bashkia Shkodër ka qenë tërësisht dakord me atë projekt.

Pas kësaj në vitin 2017, sipas Autoritetit Rrugor është vetë bashkia e drejtuar nga Ademi ajo që ka kërkuar ndryshime në lotin 1 të By Pass-it në zonë Dobraç i Ri dhe lotin 2 në afërsi të hyrjes së qytetit,

kërkesa të cilat ARRSH i ka marrë parasysh duke bërë një ripunim të lotit të parë ndërsa për lotin e dytë është përgatitur një propozim për një projekt ide.

Më tutje Autoriteti Rrugor hedh posht deklaratën e kryebashkiakes Ademi se ARRSH nuk ka depozituar në bashki projektin për lotin 2 të By Pass-it që ndodhet pranë molos tek pedonalja në hyrje të qytetit.

Sipas Autoritetit për lotin e dytë të By Pass-it ky projektpropozim ka qenë i miratuar dhe dakordsuar nga bashkia Shkodër, ndryshe nga sa pretendon kryebashkiakja. Të gjitha ndryshimet e kërkuara nga bashkia Shkodër për rrugë panoramike, korsi biçikletash, gjelbërim,

mbrojtje nga erozioni janë marrë parasysh përveç uljes së kuotës në nivel me pedonalen ekzistuese sepse në projektin e parë të 2011-ës parashikohej 1.8 metër.

Një kuotë kjo që nga bashkia Shkodër cilësohet e lartë dhe që mund të sjell përmbytje tek pedonalja e molos ndaj ARRSH bën të ditur se vetë bashkia kërkoi që kjo kuotë në segmentin prej 700 metër të lotit të dytë të ulej në 0.8 metër.

ARRSH vazhdon sqarimin e saj se vetëm për uljen e kuotës në gjatësinë 700 metër është zhvilluar dëgjesa publike në nëntorin e vitit të kaluar në sallën e këshillit bashkiak të Shkodrës dhe në projektin ekzistues janë shtuar edhe propozimet e dala nga ajo dëgjesë.

Projekti bashkë me propozimet e shtuara për lotin 2 sipas ARRSH i është dërguar bashkisë Shkodër me 10 nëntor 2017. Autoriteti vazhdon që të bëjë përgjegjëse kryebashkiaken Ademi duke thënë se për projekt propozimin

në segmentin prej 700 metër ku është bërë ulja e kuotës nga 1.8 metër në 0.8 metër pritet aprovimi i Ademit për ta finalizuar më pas me miratimin në Këshillin Teknik të ARRSH duke qenë se ende nuk ka një projekt zyrtar për lotin 2 të By Pass-it.

Sipas Autoritetit Rrugor kryebashkiakja Ademi ka ngatërruar projekt idenë për lotin 2 me projekt propozimin për çështjen e kuotës në segmentin prej 700 metër me nxitimin për të hedhur akuza ndaj ARRSH.

Autoriteti shprehet se është në pritje të bashkisë ndërsa për shpronësimet tek loti i parë në Dobraç i Ri deklaron se kjo procedurë është në ndjekie e sipër deri në përmbylljen e saj.

 

Artikulli paraprakRAMA: JO MË CELULARË NË INSTITUCIONET E SHTETIT
Artikulli tjetërSPITALI PUKE, NEVOJË URGJENTE PËR MJEKË SPECILAISTË