MINISTRIA E TRANSPORTEVE KONFIRMON MUNGESËN E INVESTIMEVE. As për vitin 2015-të nuk do të ketë asnjë investim për By Pass-in e Shkodrës, të cilit tashmë veç emrit nuk i ka mbetur asgjë tjetër. Ditët e fundit zhvendosja e një sasie të madhe zhavori ngjitur me hekurat mbrojtës të pedonales krijoi përshtypjen se kanë nisur punimet. Në fakt nuk është kështu.

Burime zyrtare nga Ministria e Transportit bëjnë me dije për “Star Plus” se është thjeshtë një spostim i materialeve të një prej nënkontraktorëve të cilit i është dhënë leja për ta bërë një gjë të tillë. Burimet pranë Ministrisë së Transporteve dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Autoritetit Rrugor konfirmojnë se as për vitin 2015-të në By Pass-in e Shkodrës nuk do të ketë asnjë punim por do të vijojë të mbetet në atë gjendje skandaloze në të cilën është lënë. Madje ky spostim i një sasie të madhe të zhavorit po zë pothuajse totalisht qoftë pamjen e liqenit të Shkodrës po ashtu ditët e fundit në rrjetet sociale ambjentalistët dhe qytetarë të thjeshtë kanë reaguar duke dënuar hedhjen pa kriter të zhavorit ngjitur me pedonalen në hyrje të qytetit. Pamja që është krijuar është e shëmtuar e po ashtu lëvizje të tilla të zhavorit mbi ujin e liqenit mund të shkaktojnë dëme të ekologjike. Tek të gjithë u krijua përshtypja se rinisën punimet për By Pass-in por nuk rezulton kështu. Në fakt drejtues të pushtetit vendor si prefekti i Qarkut Shkodër Paulin Radovani por edhe vetë Ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto gjate vitit të kaluar patën deklaruar se në vitin 2015-të do të ketë fonde për rinisjen e punimeve në By Pass-in e Shkodrës. Pas më pak se një viti është vetë Ministria e Transporteve që shuan çdo shpresë për By Pass-in e Shkodrës duke pranuar se as këtë vit nuk ka fonde. Edhe gjatë vitit të kaluar janë bërë spostime të dheut e zhavorit ashtu si edhe në këtë fillim viti por asnjëherë nuk u mendua për të investuar seriozisht për zbatimin e atij projekti që dikur bëri bujë të madhe. Punimet për By Pass-in duhej të kishin përfunduar që në prill të 2013-ës por ky projekt dështoi ende pa filluar mirë. Edhe sot që flasim teksa po bëhen dy vite që atëherë, edhe pse me ndryshim të forcave politike në qeverisjen e vendit, By Pass-I vazhdon të jetë një gërmadhe mes të liqenit ku nuk shërben për asgjë tjetër veçse për ta mbushur me mbeturina.

[iframe width=”100%” height=”390″ src=”https://www.youtube.com/embed/vrgIy-3ufAo” frameborder=”0″ allowfullscreen ]
Artikulli paraprakSHKODRA I BASHKOHET PROTESTËS SË PD-së NË TIRANË
Artikulli tjetërCHAMPIONS, PSG ELEMINON CHELSEA-N PAS 120 MINUTAVE LOJË