Brenda 3 muajsh pritet që të përfundojnë punimet në njërën pjesë të By Pass-it të Shkodrës por banorët atje të cilët preken nga këto punime pjesa më e madhe nuk kanë marrë ende shpronësimet. Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar Ergys Verdho i bën thirrje banorëve që të aplikojnë pranë ARRSH për të marrë shpronësimet që u takojnë.
Janë më shumë se gjysma thotë drejtori i ARRSH që nuk kanë marrë shpronësimet dhe kjo për shkak se nuk janë dakord me çmimin e vendosur nga shteti. Kjo sipas kreut të ARRSH nuk është një arsye që banorët të mos i tërheqin dëmshpërblimet duke thënë se më pas kanë të drejtë t’i drejtohen gjykatave për pretendimet e tyre.
Çështja e By Pass-it të Shkodrës zvarritet prej vitesh duke parë herë pas here bllokime qoftë nga banorët që nuk kanë qenë dakord me çmimin e tokave të tyre të shpronësimit
apo ka patur probleme me financimin për përfundimin e punimeve dhe tashmë pritet që By Pass-i brenda 3-4 muajve të përfundojë ndërsa ende është e paqartë se si do të veprojnë banorët që kanë kundërshtitë e tyre.