Ajo ishte planifikuar si një autostradë që synonte të hiqte trafikun e makinave nga qendra e Shkodrës për të mbrojtur shëndetin e banorëve të këtij qyteti nga ndotja dhe zhurma si dhe për të lehtësuar qarkullimin në aksin jug-veri të Shqipërisë drejt Malit të Zi dhe më tutje.
Por shumë vite më vonë, bajpasi (Bypass) i Shkodrës, një projekt 55 milion eurosh, është kthyer në një vend hedhjesh mbeturinash ndërtimi apo mbeturinash urbane dhe një ndotës i madh dhe i rrezikshëm i liqenit të Shkodrës, një pasuri natyrore me vlera të mëdha ekonomike për Shqipërinë e veriut dhe Malin e Zi, Që kur u nis, sipas ekspertëve të mjedisit, qe një projekt i gabuar. Rruga e gjerë e njohur më së shumti me emrin në anglisht “bypass” dhe që nënkupton një rrugë që anashkalon udhëtimin përmes një qyteti, u vendos të ndërtohej përgjatë liqenit të Shkodrës, pjesërisht edhe për faktin se do të shërbente edhe si barrierë nga përmbytjet. Si të mos mjaftonte kjo, fondet mbaruan në vitin 2012 bashkë me krizën e përgjithshme financiare të buxhetit të shtetit dhe puna u ndërpre. Qeveria shqiptare duket se në këtë kohë mori më shumë detyrime financiare nga sa mund të përballonte dhe ndaloi shlyerjen e rregullt të faturave duke krijuar borxhe të stërmëdha ndaj kompanive private dhe duke lënë pa mbaruar një numër projektesh infrastrukturore në të gjithë vendin. Që nga ajo kohë, kompanitë e ndërtimit apo të tjera e kanë gjetur rrugën si një vend të me leverdi për të zbrazur natën të gjitha mbetjet e tyre.