Byroja e Kuvendit ka vendosur të përjashtojë 6 deputetë të opozitës dhe ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati.
Byroja ka vendosur përjashtimin për 10 ditë të deputetëve, Edi Paloka dhe Ervin Salianji, Flamur Noka, Klevis Balliu, Endrit Brahimllari, Keidi Mehmetaj.
Pas mbledhjes së Byrosë, deputeti demokrat, Edi Paloka, tha se vendimi pritej, ndërsa shtoi se kryeministri nuk përjashtohet edhe pse ka ofenduar popullin duke e krahasuar me organin gjenital.
Paloka: Vendimi që pritej. U dënuan deputetët e opozitës, megjithëse ishin atje sot thjesht në një reagim krejt normal në mbrojtje të qytetarëve të burgosur të Kukësit që edhe vet Rama i ka shpallur të pafajshëm dhe në mbështetjen e kërkesës sonë logjike për përjashtimin e një kryeministri që ka fyer popullin e tij.
Një kryeministër që krahason popullin e tij me organin gjenital të mashkullit ndodh vetëm në Shqipëri. Nuk ka ndodhur edhe me politikanin më bastard.
Ishim në mbështetje të qytetarëve kuksianë që mbrojtën të drejtën e tyre, në një Parlament ky sot pritej që të vinte Saimir Tahiri për të mbrojtur mandatin e tij,
një ministër i akuzuar jo vetëm nga opozita por edhe institucione ndërkombëtare si njeriu që ka ndjekur strategjinë e Ramës për kanabizimin e Shqipërisë dhe njeriu që Rama e vendosi në krye të trafikut të drogës në Shqipëri.
Komisioni hetimor do të vazhdojë punën normalisht, derisa sa t’i dalë në krye. Në një qeveri që mbron Saimir Tahiri dhe dënon qytetarët që proteston për bukën e gojës, këto janë çështje që i zgjidh jo më parlamenti, që sot është një Parlament privat i Edi Ramës dhe do të trajtohet si i tillë.
Të jeni të bindur që Rama nuk ka marrë asgjë që meriton.
Unë i kam thënë pa mikrofon se ky duhet të jetë kryeministri më guximtar. Duhet të kesh guxim të marrë që vazhdon të sillesh në këtë mënyrë kur është një popull i tërë që të urren.