Caktohet data se kur do të jetë mbledhja e parë e “Komisionit Hetimor të Kuvendit për Shërbimin Publik të Sterilizimit dhe Shërbimit Publik të Check-Up në Shëndetësi”. Kryetarja e komisionit Albana Vokshi informon se mbledhja e parë do të zhvillohet ditën e hënë, datë 25 mars 2024, ora 11.00 në Kryesinë e Kuvendit.
“Pas miratimit në Seancën Plenare të Kuvendit, datë 21.03.2021, bazuar në ligjin “Për Organizimi dhe Funksionimin e Komisioneve Hetimore të Kuvendit”, mbledhja e parë e “Komisionit Hetimor të Kuvendit për Shërbimin Publik të Sterilizimit dhe Shërbimit Publik të Check-Up në Shëndetësi” do të zhvillohet ditën e hënë, datë 25 mars 2024, ora 11.00 në Kryesinë e Kuvendit” thuhet në vendimin e kryetares Vokshi.
Kuvendi miratoi më 21 mars 2024 ngritjen e Komisionit Hetimor për Shëndetësinë me 95 kartonë jeshilë. 71 ishin të socialistëve ndërsa 24 të deputetëve të Rithemelimit, ndërsa u dallua një abstenim, ai e socialistit Erion Braçe. Abstenimin ndaj komisionit hetimor për PPP në Shëndetësi, deputeti Braçe për Report Tv e argumentoi me faktin se Berisha kërkon të deligjitimojë SPAK. Për tërheqjen e Rithemelimit nga hetimi i hemodializës e laboratorëve spitalorë të lidhura me Spitalin Amerikan dhe biznesmenin Allajbeu, Braçe thotë se Berisha po mbron klientin e tij. Komisioni ka në përbërje 15 anëtarë. Kryetari dhe 6 anëtarë janë të Rithemelimit ndërsa 8 janë të PS dhe ka një afat kohor prej 4 muajsh.