Dritan Lisaj dhe Gjin Lushi, dy kryepleqtë e fshatit Mgullë dhe Xhan në njësinë Pult të Dukagjinit, të akuzuar për mbajtje dhe kultivim të bimëve narkotike janë lënë në “arrest me burg” edhe nga gjykata e apelit të Shkodër.
Në këtë mënyrë apeli ka lënë në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë e cila po ashtu dha masën e sigurisë “arrest me burg”. Nga ana e saj pala mbrojtëse përmes avokatit Bujar Hoti kërkoi një masë më të lehtë për dy klientët e tij. Fillimisht për kryeplakun Gjin Lushi, avokati Hoti u shpreh se mes përgjimeve që disponon prokuroria dhe provave të gjetura në vendngjarje nuk ka asnjë përputhje ndaj edhe bien akuzat për kryeplakun Lushi. Avokati tha se në përgjime klienti i tij i pyetur nga një bashkëfshatar se çfarë po bën i është përgjigjur duke thënë se : “jam ka ve rrashkalijet” dhe kjo është marrë si provë duke e lidhur me mbjellje cannabisi. Sipas avokatit nuk është askund e dokumentuar se fjala rrashkalije do të thotë cannabis por mund të ketë qenë fjala për lakra, fidanë hudrash apo për pras dhe për këtë s’ka asnjë provë ndërsa shtoi se kryeplaku Lushi ka marrë pjesë në aksionet që policia ka zhvilluar në Dukagjin për asgjesimin e drogës.
Nga ana tjetër prokurori Elvin Bogaj tha se vendimi i shkallës së parë është i drejtë dhe tha se kryeplaku i Xhanit Gjin Lushi s’ka bashkëpunuar me policinë si dhe ka bashkëpunuar për kultivim të cannabisit me persona të tjerë, kjo edhe në bazë të përgjimeve. Kryesuesja e seancës Valbona Vata la në fuqi masën “arrest me burg” për Gjin Lushin. Edhe për kryeplakun e fshatit Mgullë Dritan Lisaj avokati mbrojtës Bujar Hoti tha se klienti i tij ka marrë pjesë në aksionet e policisë dhe se nuk janë të provuara akuzat ndaj tij për mbjellje dhe mbajtje të cannabisit. Prokurori Bogaj tha se kryeplaku Lisaj i ka dhënë kurajo personave të tjetër për të kultivuar cannabis, ka bashkëpunuar me ta dhe sipas përgjimeve tha organi i akuzës ka dhënë informacione për aksionet e policisë në atë zonë. Në fund kryesuesja e seancës Valbona Vata vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për Dritan Lisaj. Në total janë 18 shtetas të arrestuar të akuzuar si për kultivim të cannabisit në Dukagjin dhe të zbuluar pas përgjimeve prej afro një viti.