Çantë me drogë nga Shqipëria në Greqi, 2 në pranga
Dy shqiptarë janë ndaluar nga policia e Kozanit në Greqi, pas evidentimit se po transportonin lëndë narkotike. Një 41-vjeçar dhe një i mitur i moshës 15 vjeç, u ndaluan ndërsa po ecnin me këmbë në rrethinat e Kozanit, në pjesën veriore të vendit, raportojnë sot mediat lokale. Ata mbanin një çantë shpine, të cilën e kishin mbushur me lëndë narkotike, të llojit kanabis. Droga ishte e paketuar në 10 pako, me peshë totale 9.8 kg. Mësohet se kanabisi ishte marrë nga Shqipëria, ndërsa shqiptarët kishin hyrë në mënyrë ilegale në territorin grek. Ndërkohë, ndaj 41-vjeçarit ishte dhënë më parë masa e ndalimit të hyrjes në zonën Shengen.