Çekia nuk kërkon surpriza përballë Kombëtares shqiptare. Rivalët tanë të grupit E, synojnë vetëm fitoren ndaj përfaqësueses kuqezi.
Përballja ndaj Çekisë është tepër vendimtare, për fatin e kualifikimit të Shqipërisë në Europianin e vitit të ardhshëm, që do të zhvillohet në Gjermani.
Vetëm 1 pikë i ndan dy përfaqësueset në renditje, me çekët që udhëheqin grupin E me 7 pikë, ndërsa kuqezinjtë i ndjekin me vetëm 1 pikë më pak, në vendin e dytë. Por kjo sfidë është deçizive jo vetëm për ne, por edhe për skuadrën e drejtuar nga Jaroslav Silhavy.
Në Pragë, vendasit nuk kërkojnë surpriza dhe ndaj kombëtares sonë, çekët do të synojnë vetëm fitoren dhe marrjen e 3 pikëve, që praktikisht do ti dërgonte ata me një këmbë drejt kualifikimit në ‘Euro 2024’.
Në ‘Fortuna Arena’ pritet një përballje tepër delikate dhe po aq e rëndësishme, për objektivat që dy Kombëtaret kanë.
Tek kundërshtarët tanë ka patur edhe ndryshime në grumbullim. David Doudera është larguar nga grumbullimi për shkak të probleme shëndetësore, teksa është zëvendësuar nga Lukas Masopust.
Dy paraqitjet e mira të Kombëtares shqiptare në muajin qershor ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe, kanë rritur entuziasmin brenda skuadrës kuqezi që shpresojnë tek përsëritja e një suksesi si ai i ‘Euro 2016’.