Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi tha sot se 1/3 e bashkive nuk e kanë përmbushur detyrimin e tyre për të njoftuar me shkrim zgjedhësit për zgjedhjet lokale të 14 majit.

Në një konferencë për shtyp ai tha se deri tani 21 parti janë regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhje, teksa paralajmëroi kryebashkiakët në detyrë që përurimet e investimeve t’i bëjnë pa funksionarët politikë të pranishëm, në të kundërt do të gjobiten.

Celibashi: 21 bashki nuk kanë sjellë asnjë informacion në KQZ në lidhje me procesin e njoftimit me shkrim të çdo zgjedhësi. Në lidhje me kërkesat e partive për tu regjistruar, deri tani kanë paraqitur kërkesën për këto zgjedhje 21 parti politike dhe një komitet nismëtar për një kandidat të mbështetur nga zgjedhësit.

Shtyrja e shpërndarjes së fondit vjetor të partive ka lidhje me vulën e PD?

Nuk ka lidhje me çështjen e lidershipit të PD-së. Do të bëjmë shpërndarjen e fondeve pas 31 marsit, pasi kjo është data e fundit që partitë duhet të sjellin raportin financiar për vitin 2022. Kështu parashikohet edhe në Kodin Zgjedhor. Do shohim nëse partitë e kanë sjellë raportin financiar apo jo. Partia që nuk e sjell këtë raport nuk do ta përfitojë këtë fond.

Fleta e votimit do të ketë edhe emrin e kryetarit të partisë?

Po, është parashikim i ligjit. Shënohet edhe emri i kryetarit të partisë.

Ministrat në pushtet nuk e ndalin turravrapin e përditshëm dhe bëjnë inspektime të investimeve me fonde publike. Si do të zbatohet ligji?

Për disa prej tyre jemi në proces verifikimi, në lidhje me këtë që ju thoni. Qoftë kryetarët e bashkive apo funksionarët e tjerë publikë janë të lirë të ushtrojnë kompetencat e tyre, por është e dënueshme nëse këto aktivitete i kryejnë në shoqërinë e drejtuesve politikë, deputetëve apo funksionarëve të tjerë politikë. Nëse shkojnë për punë, nuk ka asnjë arsye, nuk mund të shkojnë me deputetë apo funksionarë publikë.

Artikulli paraprakSHKODËR, SHISTE LËNDË NARKOTIKE, ARRESTOHET 24-VJEÇARI, PROCEDOHET BABAI I TIJ
Artikulli tjetërMITSOTAKIS MBËRRIN NË LARISA KU NDODHI PËRPLASJA E 2 TRENAVE: GARANTOJ SE DO ZBULOJMË SHKAQET E TRAGJEDISË QË TË MOS PËRSËRITET MË