Pas rripit, “lidhet” celulari. Projekt për gjoba të rënda kundër telefonit në timon

Një javë nga nisja e aplikimit të tyre, Policia Rrugore ka vendosur mbi 4800 gjoba për mospërdorimin e rripit të sigurimit në mbarë vendin. Por, pas këtyre supergjobave, Policia Rrugore propozon edhe rritjen e masës administrative për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit. Top Channel ka mësuar se rrugorët kanë propozuar që edhe për këte shkelje, ashtu si për rripin e sigurimit, gjoba të variojë nga 5 mijë deri në 15 mijë lekë të reja. Për të realizuar ndryshimet në fjalë tashmë është ngritur një grup pune që së bashku më specialistë të Ministrisë së Transporteve do të hartojnë dosjen që do t’i paraqitet komisioneve parlamentare, pasi ndryshimet kërkojnë ndërhyrje në Kodin Rrugor. Ndryshimet do të marrin kohën e nevojshme, por, sipas policisë, janë të domosdoshme, pasi në bazë të analizave rezulton se përdorimi i celularëve gjatë drejtimit të mjetit ka sjellë një numër të lartë të aksidenteve me pasoja të rënda për jetën. Aktualisht, përdorimi i celularit gjatë drejtimit të mjetit ndëshkohet deri në 1 mijë lekë të reja, që për policinë është një shifër qesharake në krahasim me rrezikun dhe pasojat që sjell ky veprim.

Artikulli paraprakBSH:BIEN ME 12% INVESTIMET PER 6 -MUJORIN E PARE TE VITIT 2016
Artikulli tjetërDY TE PARABURGOSUR NGA LUSHNJA DHE SARANDA VDESIN NE QSUT