Kryeministri Edi Rama kë bërë me dije se këto ditë në agjendën e qeverisë shqiptare do futet edhe miratimi i basteve online. Kreu i qeverisë e ka bërë me dije këtë lajm në ceremoninë e ‘mirënjohjes publike’ për shtatë sportistët kampionë, që kanë ngritur flamurin kuqezi në Evropë dhe Botë.
“Më lejoni t’i uroj mirëseardhjen kreut të Federatës Botërore të Peshëngritjes, mikut im Muhamed. Na lejoni të nderojmë kampionët tanë të rinj, që kanë ngritur flamurin kombëtar dhe kanë bërë të këndohet himni ynë kombëtar në arenën evropiane dhe botërore. ‘Yjet e mirënjohjes publike’ janë shprehje e admirimit, respektit dhe mirënjohjes për çka bëni për Shqipërinë dhe shoqërinë.
Jemi të vendosur ta thellojmë mbështetjen për sportistët elitarë, ashtu si lëvizjen në shkolla. Janë dy binarë që çojnë sportin përpara, duke marrë në konsideratë nevojat e atyre që mund të dalin kampionë. Duam të shtojmë një mbështetje për periudhat stërvitore normale, që së bashku me trajnerët të kenë kushte të denja. Tjetra është që së shpejti do kalojmë në miratim, këto ditë do fusim në agjendë miratimin e basteve online. Ne, siç tregon eksperienca nuk kemi mundur ta ndalim, njëjtë si vendet e tjera nuk e kanë bërë. Në vend që të mbetet një aktivitet informal ku qarkullon paraja e zezë, të jetë një aktivitet ku do futen kompanitë e mëdha ndërkombëtare dhe të ketë garanci për lojtarët.
Të gjitha të ardhurat, sipas ligjit do i kalojnë sportit dhe teknologjisë. Në ligj e kemi bërë të qartë që këto para, do jenë të fokusuara vetëm në këtë pjesë dhe nuk do ndryshohet destinacioni. Do kemi një bord kombëtar mbikëqyrës, kreu i KOKSH, ai i FSHF-së etj, do jenë aty për të bërë ndarjen e të ardhurave për sportin dhe kulturën. Fondi është i konsiderueshëm, kjo sipas parashikimeve. Lëvizja sportive nga poshtë, me të gjitha federatat do ketë rritje. Jemi fokusuar te basketbolli dhe volejbolli për meshkuj dhe femra”, tha Rama mes të tjerash.