Drejtori i Ri i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku u betua sot gjatë ceremonisë për marrjen e detyrës.

“Në këtë çast solemn, në respekt të brezave, në shenjë nderimi, të rënëve në krye të detyrës, të vendosur për të zbatuar ligjin, betohem për të mbajtur me nder Flamurin e Policisë së Shtetit”, u shpreh Rrumbullaku.

“Policia e re ka nevojë për një frymë të re, që e sjell gjenerata e re e Policisë së Shtetit. Policia mbart kapacitete njerëzore dhe intelektuale, mjafton që këta të ruhen e të promovohen në bazë të mertitokracisë. Çdo punonjës duhet të jetë komod, për këtë kemi për të zhbërë çdo pabarazi. Menaxhimi i burimeve njerëzore do të jetë kryefjala, në zbatim të ligjit. Nuk ka vend për persona pa integritet. Personeli do të edukohet në mënyrë të vazhdueshme”, shtoi ai.

Rumbullaku listoi prioritetet e Policisë së Shtetit nën drejtimin e tij, që janë reformë e re ligjore, rialokim, riorganizim dhe analizë e thelluar në të gjitha nivelet e organizatës.

“Reformë e fortë ligjore, funksionale e strukturore në të gjithë nivelin e organizimit të Policisë. Rialokim i burimeve potenciale njerëzore, tendencave drejt kriminaliteti, riorganizime për të rritur evidencën investigative dhe për të goditur kriminalitetin. Analizë e mos arritjes së detyrës, abuzimin me detyrën, rivlerësim i kontributit dhe aftësive profesionale, ngritjen e strukturave të posaçme për krimin kibernetik. Lufta e krimit ekonomik dhe pastrimit të parave do të zërë një rëndësi të veçantë.

Riorganizimi dhe rritja e kapaciteteve të kontrollit në komunitetet ndaj rrethanave të dukshme. Rritja e prezencës pa uniformë në komunitet, për evidentim dhe kontroll. Përdorimi i teknologjisë jo vetëm për monitorimin e zonave urbane por edhe jo urbane. Analizë e thelluar në të gjitha nivelet e organizatës”, tha Rrumbullaku.

Artikulli paraprakPAKETA ANTIKRIZË/ “MBËSHTETJE FINANCIARE AFRO GJYSMË MILIARDI”, RAMA: KUSH HARXHON MBI 800 KW DO TË PAGUAJË ME ÇMIMIN E TREGUT! S’KEMI MASA DRASTIKE
Artikulli tjetërSPAHO NË KUVEND: PREJ MUAJSH I RENDITUR NË FUND. IRONIA E RAMËS: ËMBËLSIRA PËR NË FUND