Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama shpreson në një zgjidhje konsensuale me qeverinë greke për çështjen e kufirit detar.

Në një intervistë për Euronews në gjuhën greke, kreu i qeverisë shqiptare tha se me qeverinë e mëparshme janë bërë përparime të rëndësishme.

“Ne kemi punuar me qeverinë e mëparshme për ca kohë dhe kemi bërë përparime të konsiderueshme dhe duhet të vazhdojmë të punojmë me qeverinë e re, duke shpresuar se do të gjendet një zgjidhje konsensuale”, deklaroi kryeministri Edi Rama.

Në lidhje me ligjin e shpronësimit, i cili ka provokuar një reagim nga pakica greke nga frika e shpërdorimit të pasurisë së tyre, Edi Rama i quajti “marrëzi”.
“Shqipëria është një shembull i ndritshëm i respektit për të gjitha pakicat dhe për Grekët, të cilët kanë jetuar atje për shumë vite, në të njëjtat kushte si shqiptarët. Po, kur ka probleme, ato janë të njëjta për të gjithë, jo për një pakicë apo tjetrën. Pra, këto janë marrëzi”, tha Rama.

Sipas kryeministrit Edi Rama, zhurma për këtë çështje është politike.
“Për sa i përket ligjit, ne kemi punuar për një kohë të gjatë për të zgjidhur çështjet e pronave, shumë të komplikuara pas rënies së komunizmit.

Ajo që ne po përpiqemi të bëjmë është thjesht të riformulojmë disa nga ligjet ekzistues për të mirën e të gjithëve, dhe të luftojmë një sistem korrupsioni që derdh – mund të themi – gjakun e njerëzve për pronat e tyre. Por nuk ka të bëjë vetëm me pakicën Greke, por me të gjithë “, u shpreh Rama.

Në lidhje me vdekjen e Kostandin Kacifas, Rama përjashtoi mundësinë e një konflikti të vazhdueshëm mes grekëve dhe shqiptarëve.

“Nëse politika nuk fut hundën në interesat e brendshme dhe përpiqet të fitojë mbështetje duke ushqyer urrejtje, asgjë e keqe nuk mund të ndodhë “, tha kryeministri Edi Rama.

Artikulli paraprakE VRANË PËR PAZARE DROGE, GJYKATA DËNON DY EKZEKUTUESIT
Artikulli tjetërAKSIDENTUAN 25-VJEÇARIN QË SHPËRNDANTE PICA, 20 DITË BURG PËR DREJTUESIN E FURGONIT, LIROHET SHOFERI I AUTOBUSIT