Opozita proteston sërish sot në kryeqytet. Ashtu siç u paralajmërua në protestën e 11 shkurtit, qytetarët janë thirrur sot nga kreu i PD-së Sali Berisha për të protestuar para parlamentit, teksa do të mblidhet në seancë plenare që është parashikuar në nisë në orën 17:00.
Çështja McGonigal ishte çështja e fundit që ngriti opozitën, teksa Berisha ka paralajmëruar një revolucion demokratik që do të përfundojë me fitore. Por siç u shprehën në protestën e së shtunës, gjendja ekonomike, rritja e çmimeve, largimi i të rinjve, korrupsioni etj., janë disa nga arsyet e protestës.
Dje Berisha tha se parlamenti do të ketë protestat më të fuqishme popullore rreth tij dhe se “ne do të mbrojmë votën e lirë”.
“T’i mohosh një opozite të drejtën e kontrollit, shkelmon mbi 620 mijë njerëz që kanë votuar kundër qeverisë. Ti mohosh një opozite legjitime, të drejtën e fjalës, shkelmon mbi votën 620 mijë qytetarëve që kanë votuar kundër qeverisë.
T’i mohosh të drejtën për t’i kërkuar mocion, faktikisht çfarë e shndërron parlamentin. E shndërron në një turp kombëtar. Sigurisht të gjitha këto bëhen që ne të bojkotojmë parlamentin dhe atëherë etiketa, apo akuza se këta bojkotojnë. Asnjë orë nuk e bojkotojmë, ua them unë këtu, ne ashtu siç është ashtu do të rrimë. Por parlamenti do të ketë protestat më të fuqishme popullore rreth tij.
Zgjedhësit e Tiranës dhe Shqipërisë do të vijnë të protestojnë. Pse do të protestojnë? Do të protestojnë për një parlament që respekton votën e 620 mijë shqiptarëve, që kanë votuar kundër Edi Ramës. Ndaj dhe qytetarët e Tiranës, demokratët e Tiranës janë të ftuar dhe kërkoj që të bëjmë çdo përpjekje për të qenë te parlamenti në çdo seancë. Ai është institucioni i krimit monstruoz kushtetues.
Aty shkelmohet çdo seancë kushtetuta e vendit. Aty shkelmohen në çdo seancë të drejtat e 620 mijë shqiptarëve që kanë votuar kundër kësaj qeverie. Atëherë, duhet tu dalim zot. Atëherë duhet t’u dalim zot”, deklaroi Berisha.