Prokuroria e Krimeve të Rënda i është drejtuar Gjykatës së Lartë për t’i kërkuar bllokimin e pasaportës për ish-ministrin e Brendshëm, sajmir Tahiri.
Në këtë mënyrë duket se organi i akuzës kërkon të rivendosë masën shtrënguese “ndalim jashtë vendi” për ish-ministrin, aktualisht deputet i PS-së, i cili po hetohet për trafikun e narkotikëve dhe lidhjet me grupin e Habilajve. Pak kohë më parë ishte Gjykata e Apelit që vendosi rikthimin e pasaportës për ish-ministrin e Brendshëm, ndërsa më parë ajo ishte sekuestruar me vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda. Tashmë i takon Gjykatës së lartë për t’u shprehur në lidhje me këtë çështje, ndërkohë që organi i akuzës vijon hetimet. Sipas të dhënave zyrtare nga Gjykata e Lartë rekursi në fjalë është depozituar në 7 Shkurt 2018. Ai mban si objekt “Caktimin e masës së sigurimit personal “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”. Nga shorti i hedhur, ka rezultuar se relator i çështjes do të jetë gjyqtari Tom Ndreca, ndërsa ende nuk dihet se kur Gjykata e Lartë do të shqyrtojë çështjen.
Ish-ministri Tahiri po hetohet nga Krimet e Rënda për akuzën e “trafikut të narkotikëve në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal” dhe për “korrupsion i zyrtarëve të lartë”.