Samiti i mbajtur më 6 tetor në Brdo të Sllovenisë nuk ishte aspak i lehtë. Ai bëri bashkëudhëheqësit e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe 6 vendet e Ballkanit Perëndimor (Shqipërinë, Bosnje Hercegovinën, Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Serbinë,) që janë duke trokitur në derën e një Evrope të bashkuar.

Megjithatë kjo derë është aktualisht e mbyllur, dhe nuk duket ende e gatshme për t’u hapur.Kjo çështje nuk është e re. Dialogu me vendet e lindura nga shembja e Jugosllavisë dhe me Shqipërinë, ka nisur që në vitin 2003, por po përparon aq ngadalë, saqë po shkakton një zhgënjim të madh në rajon.

Në disa aspekte, ne i jemi kthyer problemit të zgjerimit të Bashkimit Evropian pas rënies së Murit të Berlinit në vitin 1989, me demokratizimin e vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore. Ai debat i vuri mbështetësit e zgjerimit, kundër atyre të thellimit të këtij procesi.

Me fjalë të tjera, duhej të vendosej nëse do të pranoheshin shtete të reja në union, apo të forcoheshin më parë lidhjet midis anëtarëve “historikë”. Në fund, u ndoqën që të dyja rrugët (me vështirësi të ndryshme):u zgjerua si BE, ashtu edhe iu fut monedha e përbashkët evropiane, euro.

Ashtu si në vitet 1990, sot ekzistojnë dy nevoja kontradiktore midis tyre. Mbështetësit e zgjerimit argumentojnë se vendet e Ballkanit Perëndimor, përbëjnë një zonë rreziku në kontinentin evropian, sa i përket paqëndrueshmërisë së qeverisë dhe gjeopolitikës, dhe me ndikimin në rritje të Kinës, Rusisë apo Turqisë.

Injorimi i këtyre vendeve, do të sjellë në mënyrë të pashmangshme pasoja negative.

Ndërkohë kundërshtarët e zgjerimit të çdo lloji, thonë se BE-ja aktuale me 27 anëtarë nuk është në gjendje që të funksionojë në mënyrë efektive, dhe se shtimi i 5 apo 6 vendeve të tjera në strukturat aktuale, vetëm sa do ta paralizonte të gjithë unionin…

Kjo tezë fokusohet më tepër në transformimin e funksionimit e BE-së aktuale, përpara hapjes së dyerve për kandidatët e rinj. Në fund, ashtu siç ndodhi në vitet 1990, do të duhet që tëndiqen të dyja rrugët. Mohimi i çdo perspektive për këto shtete të brishta politikisht dhe ekonomikisht, do t’i hedhë ato në krahët e fuqive të jashtme.

Për ta kuptuar këtë, mjafton të kujtojmë deklaratën e bërë më 6 tetor nga kryeministri serb Aleksandër Vuçiç, që u mburr me ndihmën e ofruar nga Rusia. Në samitin e Brdos 27 vendet anëtare e përfshinë fjalën “zgjerim” në deklaratën përfundimtare, por pa përmendur asnjë afat konkret se kur do të ndodhë kjo gjë.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula Von der Lejen deklaroi:“Ju do të jeni një ditë pjesë e Bashkimit Evropian. Duhet vetëm të kuptojmë se kur do të ndodhë kjo”. Por kjo deklaratëështë e pamjaftueshme, dhe të 27 vendet e BE e kanë vënë dorën në portofolet e tyre për të propozuar një plan financimi për një rajon evropian veçanërisht të cenueshëm.

Gjithsesi, problemi nuk qëndron vetëm tek paratë. Pasi duhet të zgjidhen ndërkohë edhe disa mikro-konflikte, përfshirë ai midis Serbisë dhe Kosovës, që kërcënon rregullisht të përshkallëzohet në një konfrontim të armatosur, dhe ai midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë për pakicat.

Këto çështje gjetën hapësirë edhe ​​gjatë takimit të fundit. Samiti la pas një ndjenjë të paplotësisë, për shkak të linjave përçarëse midis 27 vendeve anëtare, si dhe midis BE-së dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor. Por logjika politike është e ftohtë: tek e fundit, Ballkani është më afër Evropës sesa rajoni Indo-Paqësorit, që po monopolizon aktualisht mendimet e shumë njerëzve. / (Nga Pierre Haski – “France Inter” – Bota.al)

Artikulli paraprakJA PËR SA MILIONA DOLLARË SHITET FOTOGRAFIA ME AUTOGRAFIN E BEJSBOLLISTIT AMERIKAN, JOE JACKSON
Artikulli tjetërOSHEE DEL NË TREG PËR IMPORT ENERGJIE. NË ANKANDIN E PARË BLEN 19 400 MW/H PËR 4.96 MILIONË EURO, PËR PËRDORIM NJË JAVOR