Në vendin tonë po qarkullon një sëmundje që quhet keratokonjutiviti epidemik, ose gripi i syrit në gjuhën popullore.

Në përgjithësi ai shkaktohet nga adenoviruset dhe është tepër ngjitës. Transmetimi kryesor është nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë të gishtave me sytë. Zakonisht sytë preken me duar në mënyrë të pavullnetshme rreth 14 herë në ditë. Kjo ndodh më tepër te fëmijët dhe gjatë përdorimit të produkteve kozmetike.

Ky virus është mjaft rezistent dhe qëndron gjatë në mjediset që nuk pastrohen dhe dezinfektohen.

Mjediset e ndotura me këtë virus, peshqirët, këllëfët e jastëkëve të ndotur apo shtrëngimi i duarve, mund të bëhen shkak për transmetimin e virusit. Gjithashtu ai përhapet nëpërmjet ajrit gjatë kollitjes apo teshtitjes.

Pra virusi mund të gjendet kudo, por kryesisht mund të transmetohet në pishina, në vende ku kryhet make-up apo në institucione të kujdesit shëndetësor nga duart e personelit.

Shenjat kryesore janë:

· Skuqje e të bardhës së syrit
· Enjtje e kapakëve të syrit apo konjuktivës
· Lotim i vazhdueshëm i shtuar
· Shqetësim nga drita
· Ndjesi e një trupi të huaj në sy apo ndjesi për ta fërkuar syrin
· Kruarje, irritim apo djegie e syrit
· Krusta në kapakët e syrit apo qerpikë
· Personat që përdorin lente kontakti nuk mund t’i mbajnë ato pasi nuk ndihen mirë

Si parandalohet:

· Lani duart në mënyrë të vazhdueshme me ujë dhe sapun, dhe mësoni fëmijët të bëjnë të njëjtën gjë.
· Kontrolloni nëse keni dikë me këtë sëmundje, lani duart menjëherë pas kontaktit me të, dezinfektoni me produkte që përmbajnë klor sipërfaqet e prekura prej tij apo lani menjëherë me ujë të nxehtë dhe dezinfektantë sendet apo veshjet e prekura prej tij.
· Mos prekni sytë dhe mos i fërkoni ato kur jeni të sëmurë me këtë infeksion. Fërkimi i syrit përkeqëson gjendjen dhe e përhap atë edhe në syrin tjetër.
· Mënjanoni përdorimin e sendeve personale si peshqirët, këllëfët e jastëkëve apo çarçafët dhe batanijet, produktet kozmetike sidomos ato që përdoren për sytë, syzet etj.
· Mos përdorni lente kontakti kur keni shenja të këtij infeksioni derisa t’u thotë mjeku.
· Mos përdorni të njëjtin produkt (medikamentet në pika apo pomadat) për syrin e shëndetshëm. Pra, kur mjekoni syrin e sëmurë, për të vendosur pikat ose pomadën tek syri tjetër lani mirë duart dhe përdorni një pomade apo solucion tjetër, pavarësisht se lloji i produktit është i njëjtë.
· Pastroni mjediset publike dhe ato spitalore me dezinfektantë që përmbajnë klor, dhe kjo të kryhet vazhdimisht.

Artikulli paraprakKINË, 10 TË VDEKUR, 19 TË PLAGOSUR DHE 5 TË HUMBUR NGA SHPËRTHIMI I NJË IMPIANTI GAZI
Artikulli tjetërISHIN PREMTUAR 800 MILIONË PËR NOTRE DAME, JA SHIFRA E TANISHME