FRANCË 3 REPORTAZH KUSHTUAR AZILANTËVE KOSOVARË QË LËNË VENDIN. U nisën për të kërkuar më të mirën por përfunduan duke jetuar në stalla kafshësh e në stacione trenash.
Kosovarët të cilët janë larguar nga Kosova për të kërtkuar azil në shtetet e tjera të Europës duket se nuk janë përballur me atë që prisnin por me një realitet mjaft të hidhur. Televizioni frances France 3 i ka kushtuar dje një reportazh azilantëve kosovarë për të treguar kushtet e tmerrshme në të cilat ata jetojnë. Reportazhi i France 3 tregonte për një fermë që është kthyer tashmë në një vendqëndrim për qindra kosovarë të cilët kanë lënë vendlindjen e tyre duke kërkuar më të mirën për veten. France 3 e përshkruan gjendjen e kosovarëve azilantë si të tmerrshme duke sjellë pamjet e një kampi të improvizuar nga një stallë ferme në Mulhouse një qytet pranë kufirit me Zvicrën. “Ata po detyrohen të flenë në këto lloje vendesh prej afro një muaji dhe për këtë shkak çdo ditë rreth 150 njerëz janë të detyruar që të kërkojnë ndihmë në numrin e emergjencës për shkak të gjendjes së tyre. Azilkërkuesit nga Kosova janë të detyruar të ushqehen vetë dhe të gjejnë strehim sikur në këtë fermë, apo stacione trenash e autobusësh, pasi nuk është e mundur të vendoseshin të gjithë në shtëpi të azilkërkuesve për shkak të numrin të madh të tyre.”- thuhej ndër të tjera në reportazhin televiziv të France 3