JUVENTUS SKUALIFIKON REALIN E MADRIDI PAS BARAZIMIT 1-1 NË SPANJË. Barcelona-Juventus do të jetë finalja e Berlinit më 6 Qershor për këtë edicion në Champions League. Juventusi arriti që të nxjerrë jashtë në gjysmëfinale Realin e Madridit pas barazimit 1-1 në ndeshjen e kthimit në Spanjë. Reali kishte ndeshjen nën kontroll absolut në pjesën e parë duke shënuar fillimisht me Ronaldon me penallti pas pengimit të gabuar të James në zonë.
Minutat pas golit ishin mjaft të mira për vendasit, pasi krijuan shumë raste për shënim me Benzema, Bale dhe Ronaldo, por mungesa e qetësisë para portës bëri që të mos finalizonin me saktësi. Megjithatë pjesa e parë u mbyll me avantazhin e Realit. Në pjesën e dytë Juventusi rriti ritmin e lojës duke kërkuar golin e barazimit, të cilin e gjeti me Moratën pas një rrëmuje në zonë në minutën e 57’. Ky ishte goli i dytë i shënuar nga spanjolli përballë ekipit që e huazoi. Sulmuesi shënoi golin e parë të ndeshjes në Torino, por edhe të parin dhe më të rëndësishmin në Spanjë në stadiumin “Bernabeu”. Në minutat në vazhdim, Reali kishte të gjithë kohën e mjaftueshme në dispozicion për të shënuar golin e dytë që të dërgonte ndeshjen në shtesë, por deri në përfundimin e kohës së rregullt dhe 4 minutave shtesë nuk arriti që të çante mbrojtjen e Juventusit duke u dorëzuar dhe pranuar disfatën. Pas eliminimit në Madrid pritet ‘tërmet’ pasi sipas të gjitha gjasave edhe nga kampionati do të dalin me duarsh bosh, pasi Barcelona thuajse ka siguruar titullin. Ndërsa në kampin tjetër Juventusi pret i qetë finalen e madhe, pasi kampionatin ka disa javë që e ka siguruar dhe tashmë mendon vetëm për Berlinin më 6 qershor.