BARAZOJNE 0-0, KUALIFIKIMI VENDOSET NË KORÇË .
Skënderbeu e nis me këmbën e mbarë misionin “Champions League” duke barazuar në ndeshjen e parë kualifikuese në Bjellorusi me BATE Borisov 0-0. Kampionët e Shqipërisë realizuan një paraqitje mjaft të mirë përballë bjellorusëve që shiheshin si favoritë për të fituar ndeshjen, pasi luanin në shtëpinë e tyre. Të besuarit e trajnerit Mirel Josa u rreshtuan mjaft mirë në mbrojtje duke ndalur kampionët e Bjellorusisë në shumë raste të pastra për shënim. Një meritë të veçantë për barazim ka padyshim edhe portieri Orges Shehi që nuk lejoi prekjen e rrjetës. Ndërsa sulmuesi Fatjon Sefa, kapiteni Bledi Shkëmbi, Orelesi, Progni dhe Lilaj tentuan disa herë që të linin gjurmë në Minsk, por deri në vërshëllimën e fundit rezultati nuk ndryshoi duke shtyrë kualifikimin për në Korçë në ndeshjen e kthimit. Skënderbeu për të kompletuar veprën duhet që në ndeshjen e kthimit javën tjetër në shtëpi të bëjë një tjetër mrekulli. Të eliminosh BATE Borisov, që disa edicione më parë mundi me rezultat të thellë Bajernin e Mynihut dhe që synon fazën e grupeve të kompeticionit elitar nuk është e lehtë dhe këtë e dinë më së miri kampionët e Shqipërisë, por emri i kundërshtarit dhe përvoja e fituar në Champions League duket se e kanë motivuar maksimalisht Skënderbeun.