INTERI, PËRBALLË MODESTËVE TË STJARNAN.
Është hedhur në Nion të Zvicrës shorti i fazës së “play-off”-eve të Ligës së Kampioneve, nga ku janë mësuar çiftët e dy seksioneve të kësaj faze, Champions Route dhe League Route. Në “League Route”, Porto synon të marrë pjesë në fazën e grupeve të Champions League për herë të 19, ndërkohë që Athletic Club do të shpresojë t’i japë fund një mungese 16-vjeçare në to.
Ndër favoritët e “League Route” janë Arsenali, Porto, Zeniti, Leverkusen dhe Napoli, ndërsa më pak favoritët janë Athletic Bilbao, Lille, Kopenhagen, Standardi i Liezhit dhe Beshiktashi. Sa i përket “Champions Route”, ish-fituesit e Kupës së Europës, Steaua Bukuresht, dhe 3 debutues kanë shanse potenciale për të marrë pjesë në grupe. Mes pretendentëve janë Salcburgu, Steaua Bukuresht, APOEL, BATE Borisov dhe Ludogorets Razgrad, ndërkohë që te jofavoritët përfshihen Maribor, Celtic Glasgow, Slovan Bratislava, Malmo dhe Aalborg. 10 fituesit e “play-off”-eve do t’i bashkohen 22 ekipeve që hyjnë automatikisht në fazën e grupeve, për të cilën do të hidhet shorti në Monako, më 28 Gusht. Ish-fituesit e trofeut të Europa League, Inter, Totenhem, Borusia M’gladbah, dhe Fejënord kanë mësuar rivalët e tyre për “play-off”-et e kompeticionit të dytë për nga rëndësia në Europë, sa i përket klubeve. Zikaltrit do të përballen me Stjarnanin e Islandës, ndërsa Lioni do të ketë një përballje më të vështirë, ndaj rumunëve të Astra Giurgiu.Milanezët e kanë ngritur trofeun në ’91, ’94 dhe ’98. Holandezët e Fejënordit janë shpallur dy herë fitues, në ’74 dhe 2002, e këtë raund do t’i duhet të sfidojë ukrainasit e Zorya Luhansk, të cilët eliminuan Laçin në raundin e parë. Ndërkohë, Totenhemi, fitues i trofeut në ’72 dhe ’84, do të ndeshet me qipriotët e AEL Limasol. Gladbahu sfidon një kundërshtar ballkanas, Sarajevon e Bosnjë-Hercegovinës, ndërsa PSV përballet me bjellorusët e Shakhtyor Soligorsk. Fituesit e 31 çifteve, që do të luajnë ndeshjet e para më 21 Gusht dhe ato të kthimit më 28 Gusht, do t’u bashkohen 7 ekipeve të kualifikuara automatikisht për në fazën me grupe. Veç tyre, do të vijnë edhe humbësit e “play-off”-eve të Champions League.