Spektakël i pazakontë në stadiumin “Elbasan Arena”, por fundi i ndeshjes ishte dëshpërues për 12500 tifozët e skuadrës së Skënderbeut, e cila u mund nga Dinamo e Zagrebit me rezultatin 2-1. Ishte një ndeshje e bukur, me episode mbrojtëse dhe sulmuese nga të dy ekipet, por në fund fitoi përvoja dhe kualiteti i skuadrës kroate, e cila ndodhet tashmë më pranë kualifikimit. Skënderbeu e nisi vrullshëm takimin, duke këmbëngulur nga krahët dhe në qendër në gjetjen e një goli të shpejtë që do t’i jepte përparësi.
Por pas pesë minutash sulmesh të forta, që nuk u konkretizuan nga sulmuesi Salihi dhe dy anësorët e mesfushës Berisha e Latifi, vjen reagimi i Dinamos së Zagrebit, e cila për minuta të tëra e dominoi lojën në mesfushë dhe u tregua më e rrezikshme se sa Skënderbeu ynë. Për 25 minuta me radhë kroatët e shpërngulën lojën në gjysmëfushën e skuadrës korçare dhe duke parë dobësinë e krahut të majtë të mbrojtjes ndërmorën inkursione të shumta për të depërtuar në thellësi e rrezikuar portën e mbrojtur nga Orges Shehi. Por gjërat do të vinin në krah të Skënderbeut edhe për fatin në anën e korçarëve gjatë 45-minutëshit të parë. Kroati Radas fiton një goditje dënimi në minutën e 37-të në pozicion të prirët me portën, nga e djathta e sulmit, duke i dhënë shansin Bledi Shkëmbit të regjistrojë një nga perlat më të bukura në karrierën e tij. Ekzekutimi mjeshtëror i goditjes së dënimit nga kapiteni bardhekuq solli golin për Skënderbeun, një gol që ngriti peshë 12500 tifozët e pranishëm në “Elbasan Arena”. Në pjesën e dytë Skënderbeu sërish e nisi mirë lojën dhe rrezikoi me anë të Nimagës dhe Salihit, por pa mundur të përcjellë topin në rrjetë. Më pas, Skënderbeu regjistroi vetëm një rast shënimi në minutën e 56-të kur Salihi i vetëm në zonë nuk u rrotullua si duhet dhe gjuajtja e tij ishte e gabuar, duke shpërdoruar një rast të artë. Gjithë pjesën tjetër të lojës e kontrolloi Dinamo e Zagrebit, e cila këmbënguli fort nga krahët për të gjetur rrugën e rrjetës. Në minutën e 67-të një depërtim i bukur në zonë i Marko Pjacës bëri që ai të dilte i lirë në zonë dhe të jepte asist për El Arabi Sudanin, i cili vetëm sa e shtyu topin në rrjetë. Barazimi tronditi Skënderbeun, i cili filloi të bënte gabime. Këto gabime erdhën nga nxitimi i grupit për të dalë përpara. Dinamo u tregua më e freskët dhe këmbëngulëse në pjesën e dytë. Në minutën e 3-të shtesë, Josip Pivariç gjuan mjaft bukur nga një distancë e largët diagonal me portën, duke mos i dhënë asnjë shans portierit Shehi. Përfundimisht fiton Dinamo e Zagrebit 2-1, duke hedhur një hap të mirë drejt kualifikimit.