Chelsea është rikthyer të bëj skuadrën kampione të Premier League, me blutë që mundën pastër 4 me 0 Brighton. Në “Amex Stadium” të besuarit e Antonio Conte e nisën me marshin e 5-të takimin, duke gjetur vetëm pas 3 minutash golin. Ishte Eden Hazard që zhbllokoi avantazhin, me yllin belg që duke përfituar nga një largim i keq nga mbrojtësit vendas, e kishte të lehtë të mposhte portierin Ryan.
Tre minuta më pas, pas një aksioni model të bluve, braziliani Willian me një të djathtë të fuqishme nga jashtë zone, dyfishoi rezultatin, me 45 minutëshin e parë që u mbyll në këto shifra.
Edhe fraksioni i dytë foli për kampionët në fuqi.
Në minutën e 77-të, pasi mori një top nga autori i golit të dytë Willian, belgu Eden Hazard vallëzoi mes për mes mbrojtësve dhe me të djathtën shënoi golin e 3-të për Chelsea dhe të dytin personal.
Dy minuta nga fundi kishte vend dhe për golin e Moses që pasi mori një pasim të gjatë dhe të saktë nga Musonda goditi për të plotësuar “pokerin”.
Me këtë fitore Chelsea ngjitet në vendin e 3-të me 50 pikë, aq sa United që ka një takim më pak.