Mbrojtësi Stefan Cicmil është drejt rikuperimit përfundimtar dhe, që në ndeshjen e ardhshme, ndaj Teutës, mund të jetë i gatshëm për lojë.
Ky është një lajm i mirë për stafin teknik, sepse po hyhet në një fazë shumë interesante të kampionatit dhe tashmë duhet një kontigjent sa më i plotë lojtarësh. Malazezi u dëmtua në ndeshjen e parë të këtij viti, atë ndaj Kukësit për kampionat, në Shkodër, pikërisht 5 minuta para përfundimit të lojës. Mjekët konstatuan një zgjatje të ligamentit të gjurit dhe i këshilluan një muaj pushim.
Kjo periudhë tashmë ka kaluar dhe prej disa ditësh, lojtari ka nisur stërvitjen me skuadrën, por pa marrë ngarkesat e duhura. Vetë Cicmilbën të ditur se nga java e ardhshme do të bashkohet me grupin në stërvitje: “Gjendja ime tashmë është shumë më e mirë dhe mendoj se dëmtimin që kam patur e kam lënë prapa. Sipas konsultave me mjekët, nga java e ardhshme do të vijoj me procesin e plotë stërvitor dhe për ndeshjen e ardhshme me Teutën them se do të jem në dispozicion të trajnerit”.