Mbrojtësi i Vllaznisë Stefan Cicmil nuk ka heshtur pas deklaratës së trajnerit të Vllaznisë Armando Cungu se ai nuk do jetë më pjesë e skuadrës pas gabimeve të bëra në ndeshjen me Skenderbeun por edhe në përballjet e kaluara.

Malazezi përmes një postimi në facebook ka sqaruar pozicionin e tij dhe atë që ndodhi në ndeshjen ndaj korçarëve ku Vllaznia humbi 4-3 ndërsa malazezi shkaktoi dy penallti dhe doli me karton të kuq. “Së pari për shkak të tifozëve, për shkak të Vllaznisë dhe shokëve të skuadrës dhe për shkak të qytetit të Shkodrës ku unë kalova dy vite shumë të bukura, duke iu përgjigjur komenteve negative që janë lidhur me emrin tim si një futbollist i Vllaznisë për ndeshjen me Skënderbeun, jo me qëllimin për të mbrojtur veten, por vetëm për të qartësuar të vërtetën, më duhet të theksoj:

Gjatë qëndrimit tim dyvjeçar te Vllaznia, kam krijuar një marrëdhënie shumë të mirë me të gjithë njerëzit në Shkodër dhe kam ndjerë mbështetjen e tyre në çdo hap. Kam luajtur në mënyrë të ndershme, korrekte dhe profesionale dhe kam lënë zemrën në fushë. Në lidhje me ndeshjen ndaj Skënderbeut, kjo ishte ndeshja ime e parë pas tre muajsh pas dëmtimit tim. Ne të gjithë e dimë se gabimet janë pjesë e futbollit dhe në rrethana të pafat, topi të cilin as nuk e pashë, më erdhi nga mbrapa dhe më goditi në krah, e gjithë kjo gjatë përpjekjes time për të mos lënë lojtarin e Skënderbeut që po ruaja të mos shënonte një gol.

Kjo është një nga ata ndeshje ku unë dëshiroja më shumë të fitoja dhe jam i sigurt se për shkak të humbjes unë jam më i mërzituri”. Më tej Cicmil shkruan se komentet negative për të janë tendencioze por pa përmendur emrin e trajnerit Armando Cungu edhe pse ky i fundit tha se nuk mund të jetë pjesë e Vllaznisë për shkak të papërgjegjshmërisë së tij. “Të gjithë komentet negative në lidhje me emrin tim janë tendencioze! Si një profesionist unë nuk e kuptoj këtë! Ishte një ndjesi fantastike të isha në ekipin më të mire shqiptar. Unë dua t’i falënderoj të gjithë për mesazhet e mbështetjes.

Ishte një nder që të kaloja dy vite të mrekullueshme në këtë klub kaq të madh, që është më i madh se çdo individ, pasi ne të gjithë jemi të përkohshëm dhe Vllaznia do të mbetet përgjithmonë”. Kjo deklaratë e mbrojtësit Cicmil është një lamtumirë e tij nga Vllaznia edhe pse duhen edhe 4 javë për t’u luajtur. Malazezi qëndroi dy vite në Shkodër me 50 ndeshje të luajtura ndërsa sezonin e fundit ishte ndër lojtarët më të paguar tek kuqeblutë.

Artikulli paraprakSHKODËR, ASNJË PERSON ME TALASEMI
Artikulli tjetërCUNGU: S’KA TENDENCË ME CICMIL, PËRJASHTIMI PROFESIONAL