Çiklizmi shqiptar ka nisur aktivitetet e vitit 2024. Gjithçka ka startuar nga Elbasani, teksa kjo veprimtari e parë e çiklistëve ishte në kuadrin e festimeve të Ditës së Verës. Pjesëmarrës në këtë aktivitet ka qenë edhe ekipi i Vllaznisë, i cili ka bërë një paraqitje përgjithësisht të mirë me çiklistët e vet. Ekipi shkodran, nën drejtimin e trajnerit Leonat Kola, mori pjesë në Kupën “Dita e Verës” me shtatë çiklistë.
Kështu, në garën e të rriturve, çiklisti Mateo Balaj vetëm në metrat e fundit, ka humbur vendin e parë, duke u mjaftuar në këtë mënyrë me të dytin, sepse para tij ka prekur vijën e finishit çiklisti i Teutës. E njëjta histori edhe me të rinjtë, ku çiklisti shkodran Bekim Tafili ka bërë një garë shumë të mirë, por ka qenë edhe ai i pafat në metrat e fundit, ku u rendit i dyti pas çiklistit të Studentit. Edhe çiklistët e tjerë të Vllaznisë kanë bërë një paraqitje të mirë, duke treguar se do të jenë rivalë të fortë për të fituar në të gjitha garat e ardhshme.