Autoritetet greke thonë se janë gati për përballimin e ciklonit “Zorba”, që ka goditur brigjet e vendit nga e shtuna herët në mëngjes. Pamjet e para nga Porto Heli tregojnë një fenomen mini-cunam.
Joni jugor dhe Peloponezi jugor janë tashmë ne mëshirën e Zorbas, me erëra te fuqishme 9-10 buforë, dallgë te larta, reshje të fuqishme që kanë përmbytur fshatra e qytete.
Që nga e premtja në mbrëmje janë anuluar disa itinerare me anije nga Pireu, dhe qytetarët luten të ndjekin udhëzimet.
Megjithëse fuqia e Ciklonit duket të jetë zvogëluar nga dita e djeshme, kalimi më herët i ciklonit “Ksenofon” e ka rënduar situatën, dhe specialistët paralajmërojnë se fenomenet që priten orët e ardhshme janë të paprecedentë për zonën.
Kjo është arsyeja e alarmit të dhënë gjatë këtyre ditëve.
Ndërkohë, krejt ndryshe është situata në Selanik dhe në zonat ku nuk kalon cikloni, ku moti është shumë i mirë, një ditë e ngrohtë vjeshte.
“Zorbas” pritet të përshkojë Peloponezin, Atikën, dhe madje Athinën për pak orë, Greqinë Qendrore dhe Kretën Jugore.