Cilësia e ajrit, Mjedisi:Tirana, Fieri dhe Elbasani, norma të tejkaluara
Tiranë- “Kemi nevoja për të pasur më shumë stacione monitorimi, është domosdoshmëri. Veçanërisht në qytetet që shfaqin norma të tejkaluara si Tirana, Fieri dhe Elbasani, me qëllim sigurimin e të dhënave cilësore për cilësinë së ajrit”. Kështu shprehet Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit Julian Beqiri gjatë prezantimit të të dhënave që Shqipëria raporton si palë tek Agjencia Botërore e Shëndetit. Ministria e Mjedisit dhe Delegacioni BE-së prezantuan Draft Planin Kombëtar të Menaxhimit të Cilësisë së Ajrit, që pritet të hyjë në fuqi në 2017. Ndërsa menaxheri i sektorit të mjedisit dhe energjisë pranë Delegacionit të BE-së Antoine Avignon deklaroi se “Ndotja e ajrit është prezente ndaj ne duhet të ndërmarrim hapa për ta përmirësuar atë. Hartimi i këtij Plani Kombëtar është hapi i parë për të përmirësuar cilësinë e ajrit në qytetet tona”theksoi ai. “Synimi kryesor i hartimit të këtij plani ishte të përmirësohej cilësia e ajrit në zonat ku janë tejkaluar kufijtë e lejuar të ndotësve në ajër, të përcaktuar me ligj dhe synimi tjetër ishte të ruhej cilësia e ajrit në pjesën tjetër të territorit ku nuk ka tejkalime” tha në vazhdim të konferencës, Paolo Bacca, Drejtues i projektit IBECA. Në këtë prezantim merrnin pjesë përfaqësues të lartë të Ministrisë së Mjedisit, Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, Delegacionit të Bashkimit Evropian, drejtues të projektit IBECA, projekt që ka koordinuar dhe financuar gjithë procesin për hartimin e këtij draft plani. Gjithashtu në këtë takim pati përfaqësues të institucioneve qëndrore apo lokale, që kanë si objektiv të punës së tyre menaxhimin e cilësisë së ajrit. Ky dokument strategjik që mendohet të jetë binari, ku do ecin të gjitha institucionet që menaxhojnë cilësinë e ajrit për të siguruar që cilësia e ajrit në zonat problematike, për të arritur normat e lejuara të Bashkimin Europian. Kostoja indikative e këtij Planit është vlerësuar 318 milionë Euro të ndarë sipas sektorëve përkatës: ulja e ndotjes nga automjetet; reduktimin e shkarkimeve në ajër nga instalimet industriale; reduktimin e ndotjes nga sektori i ndërtimit dhe zhvillimit urban si dhe sektori i bujqësisë. Përfaqësuesit e Ministrisë e Mjedisit i njohën të pranishmit me sfidat që shoqërojnë zbatimin e këtij plani, duke prezantuar autoritete qëndrore, autoritete monitruese si dhe rolin e autoriteteve vendore që përfshihen në zbatimin e këtij plani. Ngritja e mekanizmit te monitorimit dhe vlerësimit të Planit Kombëtar, bazuar në rezultate, produkte dhe efekte do të garantojë efektivitetin e zbatimit të masave të identifikuara në plan dhe arritjen e objektivave të përcaktuara në strategjinë e ajrit dhe legjislacionin përkatës.