Kryeministri i Greqisë, Aleksis Cipras dhe homologu i tij i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev janë propozuar zyrtarisht për çmimin Nobel për Paqen. Lajmi bëhet i ditur nga agjencitë shtetërore të lajmeve në Athinë dhe Shkup.
Gazeta greke Ekathimerini shkruan se ishte Parlamenti Europian ai që bëri propozimin për Cipras dhe Zaev për kontributin e tyre për përpjekjet në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për emrin, një problem ky i mbartur prej dekadave.
Pas miratimit të marrëveshjes së Prespës për ndryshimin e emrit në Maqedonia e Veriut dhe një protokolli për pranimin e saj në NATO, të dy vendet si Maqedonia dhe Greqia tani duhet t’i dërgojnë një letër të përbashkët, Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres.