Vala e të ftohtit që ka mbërthyer Europën vazhdon dhe gjatë fundjavës. Përveç borës e ngricave, Britania tashmë po përballet edhe me erën e fuqishme, e cila ka shkaktuar probleme të shumta.
Mijëra njerëz janë evakuar nga shtëpitë dhe pronat përgjatë bregdetit lindor të Anglisë pas lajmërimit për shkak të përkeqsëim të stuhisë. Me mijëra banesa kanë mbetur pa energji elektrike, shumë fluturime ajrore janë anulluar. Gjithandej shihen pemë të rrëzuara mbi automjete e mure të shembura nga era qe arriti shpejtësi më shumë se 125 kilometra në orë. Meteorologet kanë paralajmëruar një fundjavë me erëra të forta, borë dhe akull. Situata paraqitet kritike dhe në Itali gjatë fundjavës, ku parashikohet përkeqësim i motit në të gjithë Italinë me shi dhe borë edhe në lartësi të ulëta, si edhe një rritje e konsiderueshme e erërave. Vendi më i prekur nga moti i keq është Polonia, ku termometri zbriti nën -20 gradë, duke shënuar temperaturat më të ulëta në më shumë se një shekull. Bora dhe i ftohti ekstrem, që nuk po e lëshojnë Greqinë prej 6 ditësh, kanë izoluar shumë fshatra, kanë paralizuar transportin duke lënë banorët të bllokuar në shtëpitë e tyre. Autoritetet po punojnë intensivisht për pastrimin e rrugëve, rikthimin e energjisë elektrike dhe shpëtimin e civilëve.