Çmimet e larta të karburanteve po ushtrojnë presion tek konsumi, ndonëse të dhënat historike tregojnë se shitja me pakicë e gazoilëve në vendin tonë nuk është ndikuar nga ndryshimi i çmimeve.

Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se në muajin mars 2022 importet e karburanteve ishin 39 mijë tonë me një ulje 16 për qind në krahasim me marsin e vitit 2021, por gjithsesi ato mbeten të larta krahasuar me të njëjtin muaj te viteve 2015-2019.

Për të gjithë 3-mujorin e parë të vitit 2022 importet e naftës pësuan rritje vjetore me vetëm 0.8 për qind. Importet e naftës ishin në rritje të shpejtë para se të niste lufta në Ukrainë. Në janar 2022 importet shënuan rritje vjetore me 13 % dhe në shkurt 8.4 %, për të pësuar një rënie të shpejtë pasi nisën sulmet ruse në Ukrainë dhe çmimet nisën rritjen.

Me fillimin e luftës çmimi i naftës në tregun e brendshëm u rrit me 30 për qind në javën e parë të marsit, duke i kaluar 245 lekë për litër. Tani çmimet e naftës po përcaktohen nga një Bord ku merre pjesë edhe qeveria. Sot një litër naftë është 243 lekë për litër ose rreth 30% më e lartë se, një vit më parë.

Burimet nga tregu pohojnë se, konsumi i naftës në Shqipëri ka treguar se është rezistent ndaj rritjes së çmimeve. Makina konsiderohet si një mjet i domosdoshëm, për shkak të transportit jo cilësor public. Aktorët e tregut pohojnë se rënia e konsumit të karburanteve është konstatuar më shumë në sektorin e ndërtimit, i cili për momentin ka pezulluar aktivitetin për shkak të shtrenjtimit të lëndëve të para si hekuri, çka ka ndikuar sidomos kompanitë që punojnë me tendera, që i kishin llogaritur kostot me çmimet e vjetra. Ndërsa konsumi i automjeteve është ulur kryesisht në zonat kufitare për shkak të përdoruesit e tyre po furnizohen në vendet fqinjë, ku nafta kushton më lirë.

Pas një politike agresive taksimi mbi naftën në këto 10 vitet e fundit, Shqipëria është shndërruar vendi me çmimin më të lartë të naftës në botë në raport me fuqinë blerëse. Por konsumi dhe çmimi kanë ecur paralelisht, për shkak se numri i përdoruesve të automjeteve është rritur gjatë kësaj periudhe.

Lufta në Ukrainë ka rritur çmimet e mallrave kudo në botë, por nga ana tjetër sjellja konsumatorë po tregon ndryshime. Në disa produkte jo jetike konsumi po bie me shpejtësi teksa shpenzimet po pëqendrohen në mallrat jetike.

Financial Times vuri në dukje se kostoja e ushqimeve, e karburantit dhe strehimit është rritur në mënyrë drastike, por po vihen re tendenca globale të frenimit të blerjeve. Konsumatorët në mbarë botën kanë filluar të reduktojnë shpenzimet e tyre për çdo gjë që nuk e kanë absolutisht të domosdoshme.

Provat për këtë fenomen janë më të dukshme në vendet në zhvillim, ku rritja e çmimeve të produkteve bazë (të cilat bëhen akoma më të shtrenjta kur i vendosen ҫmimet në monedhat e zhvlerësuara) ka sjellë ndërprerje të furnizimeve me energji elektrike, pasiguri ushqimore.

Në fund të marsit, Apple njoftoi planet për të zvogëluar prodhimin e iPhone SE me 20 për qind, sepse lufta në Ukrainë dhe rritja e inflacionit po ulnin shpenzimet e konsumatorëve në mbarë botën.

Artikulli paraprakSIMPTOMAT E HEPATITIT AKUT TEK FËMIJËT, GJITHÇKA QË DUHET TË DINI
Artikulli tjetërTURIZËM NË HAPËSIRË, NGA 2025 MUND TË KALOJMË PUSHIMET TONA VJETORE NË HOTEL HAPËSINOR