Çmimi Nobel i Letërsisë rrezikon të mos akordohet këtë vit. Akademia Suedeze do të lajmërojë sot se si do të procedohet me ceremoninë e sivjetshme të Nobelit, vendim që merret pas skandalit seksual që ka përfshirë së fundmi trupën prestigjioze.

Akademia Suedeze do të lajmërojë sot nëse do të shtyjë ose jo akordimin e Çmimit Nobel për Letërsinë këtë vit.

Vendimi vjen pas skandalit seksual që ka përfshirë trupën prestigjioze dhe që ka çuar në largimin e 18 anëtarëve nga bordi i institucionit.

Data e çmimit Nobel të këtij viti ende nuk është bërë publike, por sipas traditës së viteve të shkuara, ceremonia organizohet në gjysmën e parë të muajit tetor, së bashku me prezantimin e fituesve në fusha të tjera.

Akademia Suedeze, një këshill gjuhëtarësh dhe autorësh prestigjiozë, është përballur jo vetëm me akuzat për sjellje të pahijshme nga bashkëshorti i njërit prej anëtareve të kësaj trupe, por dhe me akuzat për publikimin e emrave të fituesve të çmimeve përpara ceremonive formale.

Anëtarët e Akademisë, të zgjedhur me mandat të përjetshëm, akordojnë Çmimin Nobel për Letërsinë çdo vit.

Ndodh tepër rrallë që ceremonia e këtij çmimi të anulohet apo të shtyhet. Hera e fundit që Nobeli nuk është akorduar, ka qenë në 1943, në kulmin e Luftës së Dytë Botërore.

Artikulli paraprakSHPËRTHEN VULLKANI KILAUEA, KËRKOHET EVAKUIMI I 10.000 BANORËVE
Artikulli tjetërDIELL PARADITEN E TË PREMTES, SHIRA NË TË GJITHË VENDIN PASDITE