Për një politikë më të rreptë azili, për më shumë armatim dhe kundër Shteteve të Bashkuara të Evropës: CSU me sa duket do të fiksojë pozicione, të cilat mund të sjellin grindje me SPD në negociatat për qeverinë. Në konventën me dyer të mbyllura të dimrit, në Manastirin Seeon, CSU planifikon të pozicionohet qartë kundër partnerit të mundshëm për qeverinë e ardhshme, SPD. Deputetët e Bundestagut të CSU-së duan të angazhohen më tej për një politikë më të ashpër ndaj refugjatëve dhe për shpenzime më të larta në mbrojtje, por kundër thellimit të integrimit evropian.

Një projektvendim, i cili pritet të miratohet në takimin në fillim të janarit. Pak pas kësaj, partitë unioniste dhe partia socialdemokrate gjermane, SPD duan të nisin negociata për një koalicion të ri të madh qeveritar. CSU këmbëngul në dokument edhe për të shtuar shpenzimet për mbrojtjen, të cilat orientohen në objektivin e NATO-s të dy përqind të produktit të brendshëm bruto.

Me 1,2 përqindshin e saj, Gjermania aktualisht është shumë nën këtë nivel të synuar, i cili duhet të arrihet deri në vitin 2024. Politikanë drejtues të SPD-së e kundërshtojnë një rritje të shpenzimeve për mbrojtjen. Kryetari i SPD-së, Martin Schulz dhe ministri i Jashtëm Sigmar Gabriel ndër të tjera janë shprehur kundër këtyre planeve. CSU-ja e argumenton këtë dëshirë për rritje të shpenzimeve për mbrojtjen në projektvendim me argumentin se “për një Gjermani të sigurtë, që të jetë në lartësinë e përgjegjësisë së saj evropiane dhe ndërkombëtare” nevojitet një “ushtri gjermane e aftë për të goditur fort dhe moderne”.

“Pajisjet më të mira të mundshme, përgatitja si dhe përkujdesja për ushtaret dhe ushtarët” si dhe modernizimi i Bundeswehrit kushtojnë para. Rritje e investimeve Investimet nevojiten midis të tjerash “në fushat e digjitalizimit, të zhvendosjes dhe të transportit të trupave, të zbulimit me mjete pa pilot dhe në dronat që mund të armatosen si dhe në komunikimin mobil taktik”.

Prandaj buxheti duhet të rritet “të paktën në parametrat 1:1” bën të ditur më tej gazeta. Në sigurimin e kufijve të jashtëm të BE, CSU-ja kërkon të heqë dorë nga “kthimi në të anasjelltë të kërkesës për dëshmi”.

Komisioni Evropian duhet të vërtetojë më parë se këta kufij janë të sigurtë, përpara se të mendohet dhënia fund kontrolleve në kufijtë e brendshëm të BE.

Përsa i përket politikës ndaj refugjatëve, “procedurat e azilimit duke përfshirë standardet në furnizim dhe strehim” duhet të harmonizohen në të gjithë Evropën, në mënyrë që Gjermania të mos jetë më “objektivi kryesor i refugjatëve”, kërkon CSU-ja bavareze.

Veç kësaj, me vendosmëri refuzohet propozimi i kryetarit të Partisë Socialdemokrate Gjermane, Martin Schulz për ta shndërruar BE në Shtetet e Bashkuara të Evropës. Koncepti i një “bashkimi gjithnjë e më të ngushtë pa barriera” nuk gjen “pranim në popull” dhe ka “dështuar” citohet nga projektvendimi i CSU-së, i cili do të hidhet në votë në janar.

Artikulli paraprakGJYKATA PUSHON ÇËSHTJEN NDAJ ISH – DEPUTETIT ARMANDO PRENGA
Artikulli tjetërRRITEN ME 220 MILIONË USD TË ARDHURAT NË BUXHET