Në Shqipëri mund të dëgjosh çdo ditë e më shumë ndodhi që ndoshta nuk i hasim diku tjetër. E fundit ka ardhur nga qyteti i Shkodrës dhe protagonist është bërë delegati shkodran, Nikolin Sterkaj. Kjo, sepse ky i fundit, pas relacionit të bërë nga ana e tij në FSHF, ka bërë që një nga futbollistët e njohur të Akademisë Vllaznia, golashënuesi Flavio Fusha, lojtar i ekipit të 17-vjeçarëve, të marrë një dënim shumë të rëndë për karrierën e një futbollisti të ri, që ka ëndërr futbollin dhe synon të ngjisë hapat e tij një pas një. Fusha është dënuar me 15-ndeshje pezullim, një dënim shumë i madh që mund t’ia dëmtojë karrierën e tij sportive dhe sakrificat që ai dhe familja e tij kanë bërë deri më tani për këtë lojtar.

Sterkaj ka qenë delegat i Federatës në ndeshjen e 17-vjeçarëve, Vllaznia-Teuta, e cila u fitua nga vendasit me rezultatin e pastër 3-0 dhe nuk dihet ende arsyeja e saktë se pse ka ardhur ky dënim i rëndë për Fushën. Pak e habitshme kjo, por megjithatë anëtarët e Komisionit të Disiplinës, pas relacionit të bërë nga Sterkaj, kanë vendosur që të veprojnë në këtë mënyrë, por nga ana tjetër vetë Flavio Fusha dhe Akademia Vllaznia pritet ta ankimojë këtë vendim të padrejtë.

Artikulli paraprakPËRGATITJET E FESTIVALIT “LULE BORË”
Artikulli tjetërBOTËRORI I BOKSIT U-18, MACA NË 5-SHE