Ka tri ditë që është kthyer në Shkodër, pas pushimeve që bëri në Greqi, megjithatë Armando Cungu ende nuk është shfaqur askund dhe, për më tepër, nuk ka dhënë asnjë prononcim në lidhje me të ardhmen e tij.
Ajo që mbetet deri tani është vetëm deklarata e kryebashkiakes Ademi, që e ka rikonfirmuar atë në krye të kuqebluve edhe për sezonin e ri, gjithnjë duke zbatuar kontratën dypalëshe që është e firmosur me trajnerin. Megjithatë, ka patur pak dilema në lidhje me qëndrimin apo jo të Cungut, nisur nga deklaratat e here pas hershme që ai pati dhënë kohët e fundit, teksa e vinte në dyshim vazhdimësinë tek Vllaznia.
Por heshtja e tij e këtyre dy ditëve të fundit, duket se në njëfarë mënyrë është një pranim nën zë i qëndrimit sërish në pankinën e kuqebluve. Padyshim që kjo do të zyrtarizohet pas takimit që do ketë me drejtuesit e lartë të klubit, por gjasat janë që të ndodhë kështu.
Gjithsesi, ende do pritet analiza që do të zhvillohet, e cila në fakt është e kushtëzuar edhe nga axhenda e kryebashkiakes apo anëtarëve të Bordit Mbikëqyrës të klubit, por ajo është e sigurtë që do të bëhet këto ditë. Prej kësaj analize do të dalin edhe shumë gjëra që kanë të bëjnë me Vllazninë e sezonit të ri, që duket se do të nisë sërish nga Armando Cungu.