Në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, deputetja e PD, Dhurata Çupi gjatë raportimit të Avokates së Popullit Erinda Ballanca para “Ligjeve”, i kërkoi angazhim konkret në funksion të caktimit të minimumit jetik, për t’iu ardhur në ndihmë më të pamundurve.
“Ne si opozitë kemi bërë një propozim për minimumin jetik. Mungesa të politikës sociale dhe ndihmës do të doja angazhimin e Avokatit të Popullit, ndoshta takime, emisione televizive për këtë nuk bëhen për minimumin jetik, është çështje shqetësuese për ata që i prek, por edhe shtresa tjetër që sheh në rritje shtresën e varfërisë dhe pamundësisë së jetesës dinjitoze”, tha ligjvënësja demokrate.
Nga ana e saj, Ballanca tha se i takon Kuvendit të Shqipërisë që të miratojë formulën se si mund të implementohet.
‘Kemi bërë raportin e fundit për minimumin jetik në vitin 2019. Pra çfarë ndodh në vendet e rajonit dhe cila është formula si mund të bëhet, të dhënat ndryshojnë vit pas viti. Nuk kemi patur ndryshime të reja negative për të bërë një raport tjetër. Ministria përkatëse, veçanërisht Parlamenti të miratojnë formulën si do të llogaritet minimumi jetik. Në vitin 2019 ne kemi patur një vlerë mesatare të minimumit jetik për qytetar 17 875 lekë, nëse kjo vlerë vetëm me inflacionin e pranuar dhe të publikuar nga INSTAT kjo vlerë do të shkonte në 21 039 lekë. Kjo vlerë mbetet thelbësisht shumë e vogël nëse shohim pensionet dhe ndihmën ekonomike ku jemi më keq. Nëse nga të dhënat e INSTAT vlera mesatare e ndihmës ekononike është rritur, mbetet problematike numri i personave që përfitojnë vlerën ekonomike.’- tha Ballanca.