Dajti, 48 orë në flakë. Prençi: S’jemi në situatë të jashtëzakonshme
Megjithëse në të gjithë vendin janë aktive 25 vatra zjarri, 4 prej tyre mbeten shumë problematike. Drejtori i përgjithshëm i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi nuk e sheh si opsion të mundshëm shpalljen e situatës së jashtëzakonshme. Ndërkohë, përgjigje pozitive për ndihmë ka dhënë edhe Qendra e Menaxhimit të Krizave në Bruksel. “Nuk mendoj se jemi në prag të një situate të jashtëzakonshme por vatrat, me rritjen e temperaturave janë shtuar. I kemi bërë kërkesë ERCC-së dhe sot presim një avion “CandaAir” për të na ndihmuar”, ka deklaruar Prençi. Në Dajt, lufta me zjarrin i kaloi 48 orë. “Jemi prej 2 ditësh këtu. Kryesisht kemi zjarr në masivet e shkurreve. Por kemi ardhur me 30 zjarrfikës, me ushtrinë dhe policinë. Nuk mund të themi se çdo gjë është nën kontroll, por zona është e sigurtë”, ka deklaruar Shkëlqim Goxhaj, drejtor i Repartit të Zjarrfikësve të Tiranës. Specialistët dyshojnë se zjarret po vendosen qëllimisht dhe në mënyrë të organizuar. “Është bërë një inspektim dhe duke parë gjeografinë e zjarreve, sidomos në Vlorë, ku zjarri nuk ka lidhje me zjarrin në kuptimin territorial, dalim në konkluzionin se zjarret janë të qëllimshme dhe të organizuara për arsye të ndryshme. Gjithësesi, kjo është një çështje që kërkon një hetim special”, ka nënvizuar Prençi. Prençi kërkon që në hetimin e zjarrvënësve të përfshihen edhe strukturat e Shërbimiot Informativ Shtetëror.