Dy ditë pas zbardhjes së vendimit të Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda për heqjen e dënimit burg përjetë për Dritan Dajtin, organi akuzës ka dorëzuar rekurs në Gjykatën e Lartë ku kërkon rrëzimin e këtij vendimi.
Prokuroria ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë për dosjen e Dajtit, duke kërkuar që çështja të rigjykohet po nga Apeli, por me një trupë tjetër gjyqësore.
Më 23 korrik të këtij viti, pas një gjyqi të shtyrë për 278 seanca me radhë, Dritan Dajti u dënua me burgim të përjetshëm nga gjykata e shkallës së parë me akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese të oficerëve të policisë,
Fatos Xhani, Sajmir Duçkollari, Altin Dizdari dhe Kastrit Feskaj gjatë një operacioni policor për kapjen e tij. Por Dajti e apeloi këtë vendim brenda afateve ligjore.
Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda e ktheu sërish Dritan Dajtin që të rigjykohet në shkallën e parë, me pretendimin se janë konstatuar shkelje proceduriale.
Gjatë të gjithë gjyqit në shkallën e parë, Dritan Dajti refuzoi të merrte një avokat, por edhe avokatët e shtetit nuk pranonin ta mbronin, ndaj dhënia e verdiktit u pa si një përpjekje për t’i dhënë fund kësaj odiseje.